Shqipëria

Harta e re Gjyqësore/ Manja Dhomës së Avokatisë: Bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur, ju jeni njerëz të ligjit


“Bojkotimi i seancave gjyqësore nuk është zgjidhja e duhur dhe nuk i shërben askujt, as sistemit të drejtësisë, as avokatëve dhe aq më pak interesave të qytetarëve që mbrohen prej tyre”.

Kjo ka qenë deklarata e ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, të hënën e 13 qershorit.

Ky reagim nga Manja ka ardhur, pasi kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, ka deklaruar se, duke nisur nga dita e martë më 14 qershor, avokatët do t’i bojkotojnë seancat gjyqësore për katër ditë, pasi kundërshtojnë Hartën e re Gjyqësore.

Sipas Manjas, përpara se të miratohej kjo hartë gjyqësorë, janë marrë në konsideratë edhe sugjerimet nga avokatia, të cilat janë reflektuar në draft, të cilët u njohën me draftin e hartës gjyqësore gjatë fazës së konsultimit publik”.

Por, ai ka theksuar se, “riorganizimi gjyqësor është përgjegjësi e Këshillit të Lartë Gjyqësor si qeveri e gjyqësorit dhe e Ministrisë së Drejtësisë”.

“Harta e re gjyqësore, referuar standardeve evropiane, zbatimit të ligjeve të reja të Reformës në Drejtësi dhe gjendjes së sistemit të drejtësisë, krijon balancën e duhur mes aksesit të qytetarëve te drejtësia dhe efiçencës së sistemit gjyqësor”, deklaron ministri për ATSH-në.

Ndër të tjera, Manja u shpreh se avokatët janë grup interesi i rëndësishëm që garantojnë mbarëvajtjen e procesit të rregullt ligjor në zinxhirin e sistemit të drejtësisë.

“Ne presim nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe çdo avokat është që të kontribuojnë në zbatimin e hartës së re gjyqësore pasi ajo të miratohet në Qeveri dhe të hyjë në fuqi”, shtoi Manja.

Ndërkaq Ministri i Drejtësisë i cilësoi avokatët si njerëz të ligjit dhe si të tillë ata duhet të reflektojnë në vendimin e tyre. Kjo pasi “zbatimi i ligjit është emëruesi i përbashkët i yni dhe që i shërben drejtësisë dhe interesit publik”.

KLGJ-ja pasi ngriti një Grup Ndërinstitucional për të kryer vlerësimin e sistemit gjyqësor, miratoi të shtunën hartën e re gjyqësore, në të cilën parashikohet një reduktim i numrit të gjykatave në vend.

Sipas hartës së re, vendi do të ketë 13 gjykata nga 22 që ishin më parë. Ndërsa nga gjashtë gjykata administrative të shkallës së parë do të mbeten dy, një në Tiranë dhe një në Lushnjë dhe një gjykatë Apeli.

Në deklaratën e KLGJ-së shkruhej se, “Harta e re Gjyqësore do t’i shërbejë optimizimit të burimeve njerëzore dhe financiare, rritjes së eficiencës së gjykatave, përmirësimit të shpejtësisë së gjykimit dhe aksesit në drejtësi të qytetarëve”.

Po ashtu KLGJ-ja e ka cilësuar hartën si çelësin shumë të rëndësishëm për zgjidhjen e sfidave të sistemit gjyqësor, lidhur me ngarkesën e punës, delegimet, aksesin, koston dhe efektshmërinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore