Lajme

Haradinaj: Zhvillimet po hyjnë në një fazë të rrezikshme, Qeveria të përfillë këshillat e Blinken-it


Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zbatoj këshillat e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Anthony Blinken pas bisedës telefonike që ka pasur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me të.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haradinaj ka thënë se kjo është e vetmja mundësi për rikthimin e normalitetit në Veri.

“Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që qysh sot të përfillë këshillat e Sekretarit Amerikan Blinken dhe të gjithë aleatëve tonë për rikthimin e normalitetit në veri”.

“Kjo nënkupton largimin e menjëhershëm të njësive speciale nga objektet e komunave në veri dhe ajo të vazhdojë më detyrat e veta ligjore për ruajtjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka thënë se edhe kryetarët e komunave duhet të japin dorëheqje.

“Që kryetarët e komunave nga zgjedhjet e fundit atje, menjëherë të japin dorëheqje. Të shpallen zgjedhjet e lira në këto katër komuna, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjithëve, pa kushte e me garanca ndërkombëtare”.

“Që kryeministri Kurti t’i kthehet implementimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, kjo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Sipas tij, “zhvillimet po hyjnë në një fazë të rrezikshme dhe koha nuk pret”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka treguar se gjatë bisedës telefonike me kryemininstrin e Kosovës, Albin Kurti, këtij të fundit i ka kërkuar de-përshkallëzimin në Veri dhe zbatim të planit 3-pikësh të Bashkimit Evropian.

Që nga 26 maji tensionet në Veri të Kosovës u rritën si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për të instaluar kryetarët e sapozgjedhur në ndërtesat komunale nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Ndërsa më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, u përkeqësuan edhe më tej, pasi shteti i Serbisë, arrestoj tre zyrtarët policorë të Kosovës, të cilët u liruan më 26 qershor.

Serbia kishte pretenduar se policët nga Kosova u arrestuan thellë brenda territorit të saj.

Në anën tjetër Kosova tha se ata ishin brenda territorit të vendit.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore