Lajme

Blinken: Kurtit i kërkova de-përshkallëzimin në Veri, plani 3-pikësh i BE-së është rruga përpara


Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka treguar se gjatë bisedës telefonike me kryemininstrin e Kosovës, Albin Kurti, këtij të fundit i ka kërkuar de-përshkallëzimin në Veri dhe zbatim të planit 3-pikësh të Bashkimit Evropian.

“Sot fola me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për të nxitur de-përshkallëzimin në veri të Kosovës dhe një kthim të menjëhershëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Plani me tre pika i BE-së është rruga përpara”, ka shkruar ai në Twitter.

 

Po ashtu Blinken ka njoftuar se ka biseduar edhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të cilin e ka falënderuar për lirimin e tre policëve të Kosovës të rrëmbyer nga Serbia.

“Kam folur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç sot për të nënvizuar rëndësinë e uljes së menjëhershme të tensioneve. Ne mirëpresim lirimin e sotëm të policëve të Kosovës dhe vazhdojmë të mbështesim fuqishëm planin trepikësh të BE-së si rrugën më të mirë përpara”.

 

Paraprakisht, Kurti e Vuçiç kanë njoftuar se kanë biseduar me Blinken-in në telefon.

Kurti e ka fajësuar Vuçiç-in për mos gatishmëri për takim trepalësh në Bruksel.

“U diskutua për dialogun me zyrën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell për deeskalim dhe normalizim, me ç ‘rast kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Blinken për takimin bilateral të së enjtes së javës së kaluar, që nuk u bë edhe trilateral për shkak të mosgatishmërisë së presidentit të Serbisë”, thuhet në njoftimin për media të Qeverisë.

Ndërsa Vuçiç theksoi se i ka thënë Blinken-it se “Serbia sillet seriozisht dhe me përgjegjësi, por forcat speciale të policisë së Kosovës çdo ditë arrestojnë pjesëtarët e popullit serb në mënyrë arbitrare”.

“Kërkova lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar. Po ashtu, theksova se dorëheqja dhe tërheqja e menjëhershme e kryetarëve të rrejshëm nga ndërtesat në katër komuna në veri të Kosovës si dhe e forcave speciale të Policisë së Kosovës, janë me rëndësi kyçe për qetësimin e tensioneve”, shkruan Vuçiç.

Kurti flet në telefon me Blikenin: Vuçiçi s’kishte gatishmëri për takim trepalësh në Bruksel

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore