Kosova

Haradinaj uron Pavarësinë nga Prekazi: Jasharajt ndryshuan rrjedhën e historisë sonë të re


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës ka bërë homzhe tek familja Jashari në Prekaz.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Haradinaj ka thënë Prekazi është vendi ku buron liria.

“Në Prekaz, aty ku buron liria. Nderimi është i përhershëm për Jasharajt dhe Kryekomandantin Adem Jashari, të cilët ndryshuan rrjedhën e historisë sonë të re”.

“Kosovë, urime 15-vjetori i Pavarësisë”.

Edhe, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka uruar 15 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.

Përmes një videomesazhi, Abdixhiku ka kujtuar ish presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova dhe sakrificën e Jasharëve e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Sot kujtojmë atin themeltar të Republikës së Kosovës presidentin Ibrahim Rugova prirja e të cilit ishte udhërrëfim drejt shtetit tonë. Kujtojmë sakrificën e Jasharajve e gjithë heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të rënë në altarin e lirisë”, ka thënë Abdixhiku.

Një sërë ngjarjesh lanë gjurmë në historinë 15-vjeçare të Kosovës që nga anëtarësimi në organizata të ndryshme ndërkombëtare e deri tek mirëpritja e festivaleve dhe eventeve botërore.

Përpjekjet e Kosovës për Pavarësi, filluan tri dekada më parë, kur asaj iu hoq dhunshëm autonomia që gëzonte brenda Jugosllavisë së atëhershme.

Mundi dhe sakrifica për të shpallur Pavarësinë e Kosovës kishte nisur që nga viti 1999.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore