Lajme

Haradinaj takohet me shefin e OSBE-së: Diskutuam për zhvillimet politike dhe sundimin e ligjit


Ramush Haradinaj dhe Michael Davenport.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është takuar me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport me të cilin ka diskutuar për situatën politike në vend.

Lajmin e ka bërë të ditur Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Prita në selinë e Aleancës z. Michael Davenport, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë. Bashkë diskutuam për zhvillimet aktuale politike dhe për çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së po ashtu, ka vlerësuar ndihmën e OSBE-së për institucionet e Kosovës në zhvillimin e demokracisë dhe forcimin e sundimit të ligjit.

“Njëherësh, në takim vlerësova ndihmën në vazhdimësi që misioni i OSBE-së i ka dhënë institucioneve të Kosovës në zhvillimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe promovimin e të drejtave të njeriut”.

Më 31 korrik edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ishte takuar me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, me të cilin ka diskutuar për planin shtatë pikësh për daljen nga kriza.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Abdixhiku ka thënë se ka shprehur shqetësimin edhe për përçarjet mes shoqërisë dhe pushtetit.

“Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Davenport, për qëndrimet e LDK-së karshi situatës, planin 7 pikësh për daljen nga kriza si dhe e njoftoi për takimet e deritanishme me akterë të ndryshëm në Kosovë”.

Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për gjendjen e përgjithshme politike.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë nisur planin për të ndihmuar Kosovën që të dalë nga ajo siç e kanë quajtur ata “krizë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore