Lajme

Abdixhiku takohet me shefin e OSBE-së: Ia shpreha shqetësimin për përçarjen dhe polarizimin e shoqërisë


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe shefi i OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të hënën është takuar me shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, me të cilin ka diskutuar për planin shtatë pikësh për daljen nga kriza.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Abdixhiku ka thënë se ka shprehur shqetësimin edhe për përçarjet mes shoqërisë dhe pushtetit.

“Kryetari Abdixhiku e njoftoi ambasadorin Davenport, për qëndrimet e LDK-së karshi situatës, planin 7 pikësh për daljen nga kriza si dhe e njoftoi për takimet e deritanishme me akterë të ndryshëm në Kosovë”.

“Abdixhiku shprehu shqetësimin e tij për përçarjen dhe polarizimin e skajshëm të shoqërisë tonë nga pushteti si dhe shpalosi alternativën për ta kaluar këtë krizë si rrugë e re për Republikën tonë”.

Po ashtu, në këtë takim u diskutua edhe për gjendjen e përgjithshme politike.

“Gjatë takimit u diskutua dhe për gjendjen e përgjithshme politike në vend si dhe thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen me OSBE-në në dobi të forcimit të institucioneve demokratike të vendit si dhe të qeverisjes së mirë”.

Me 3 korrik, Abdixhiku, e kishte nisur planin e tij për dalje nga kriza.

Ai kishte sqaruar se ky plan përfshin takimet me gazetarë, shoqërinë civile, profesorë universitare dhe biznese.

Takime të ngjashme ka nisur edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore