Lajme

Haradinaj: S’ka rritje ekonomike, ka veç rritje të importeve nga Serbia


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përgënjeshtruar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për rritjen ekonomike.

Haradinaj përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka theksuar rritjen ekonomike sipas Bankës Botërore, sipas tij rritje ka pasur vetëm në importimin e mallrave nga Serbia.

“Rritje kanë shënuar vetëm importet e mallrave nga Serbia. Kjo qeveri e ka kapërcyer çdo parashikim dhe importet nga Serbia prej 174 milionë në vitin 2020, kanë mbërritur në mbi 306 milionë euro, që është për 76 % më shumë nga viti paraprak”.

“Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore është 3.1% e jo siç e projektuat ju 10.5%. Inflacioni, poashtu sipas Bankës Botërore, është 19.1%. Kjo i bjen se fuqia blerëse e qytetarit të Kosovës, është përgjysmuar”, ka shkruar ai.

Ai tutje ka përmendur edhe rritjen e çmimeve në artikujt të cilët konsiderohen si të domosdoshëm për jetesë.

Ai thotë se rritja e çmimeve në këto produkte vjen për disa arsyeje.

“Qeveria e ka bllokuar Ligjin e Pagave! E ka bllokuar edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, siç ishte “Kosova e Re” dhe gazsjellësi amerikan, me arsyetime qesharake, se megavati prej 80 eurove i dukej i shtrenjtë, e sot, çmimi i tij pothuajse është dhjetëfishuar”.

Kryeminitri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish Kryeministri, Ramush Haradinaj

Kreu i AAK-së, ka bërë të ditur edhe mungesën e investimeve kapitale në Kosovë.

“Nga 706 milionë të planifikuara me buxhetin e shtetit për investime kapitale, janë realizuar vetëm një e dhjeta e tyre. Në çdo sferë ekonomike e sociale ka rënie drastike. Prandaj deklaratat për rritje ekonomike, pa fakte, janë ofendim për një vend e për një popull të tërë!”.

Deklarata e fundit të ministrit të Financave, Hekuran Murati po konsiderohen si jo-reale.

Murati më 21 shtator, duke u thirrur në statistika deklaroi se kosovarët i kanë mbushur bankat me para, kjo falë pakos mbështetëse të Qeverisë, të cilën kjo e fundit, e miratoi në fillim të muajit prill.

Përveç kësaj, Murati e ka konsideruar si një gjë “interesante” kontributin e jashtëzakonshme të mërgatës në muajin korrik, ani pse ndihma e tyre në ekonominë e vendit ka qenë e vazhdueshme.

“Në fund të muajit korrik, niveli i depozitave në valutën Euro, ishte 4.88 miliardë euro”, kishte shkruar Murati në rrjetin e tij social në Facebook, duke prezantuar këtë si një arritje të Qeverisë.

Ndryshe Murati në statusin e tij të parafundit argumentonte se qarkullimi i bizneseve në vend për muajin qershor të këtij viti në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritur përafërsisht për 2 miliardë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore