Lajme

Haradinaj: Rrugëdalja prej krizës energjetike është rikthimi i projektit të gazit amerikan


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rrugëdalja e vetme për krizën energjetike është pranimi i projektit për gazin amerikan.

“Rrugëdalja për energjinë është për ta kthyer gazin shpejtë, pra projektin e gazit sa më shpejtë, menjëherë duhet, menjëherë të thonë e kërkojmë, me dërgu letër me thënë na falni, i kemi pasur disa probleme, kthejeni. Me dërgu lajme që jemi dikush në energji, që nesër ke me qenë faktor t’i kur të kesh energji”, ka thënë Haradinaj në Rubikon.

Ai e akuzoi Kurtin për rritjen e çmimit të energjisë.

“Energjia është mjaft shtrenjtë në Kosovë, mirëpo kryeministrin e ka kap mjegulla e pushtetit dhe po i dëgjon ata që i ka mbrapa, dy të rijnë që me gjasë i kanë punët mirë, pra nuk e kanë hallin sa ju kushton në fund të muajit”.

“Nuk është lirë edhe për faktin se shumë familje janë me social, s’kanë paga, s’kanë të hyra, s’kanë biznese, s’janë deputetë të gjithë, ose ministra ose kryetarë komunash”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ish Kryeministri, Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, është shprehur se ka kërkuar sqarime nga Qeveria Kurti për refuzimin e dy projekteve.

“Unë po i pyes pse? Edhe dje u thosha përse i keni refuzuar dy projekte, me e lënë Kosovën pa kapacitete që prodhojnë energji, e të varur vetëm në çmim, ai thoshte se shtrenjtë. Më fal e ku po e gjen më lirë? Sa je duke e ble sot në bursë? A është çmimi më shtrenjtë në bursë sesa që e prodhon ti a? Qeveria Kurti ose janë axhami në ketë punë, ose mbrojnë interesa të tjetërkujt”.

Përvec Kurti, Haradinaj tha se për blerjen e rrymës duhet pyetur edhe ministrat e këtij kabineti.

“A e dini që jemi duke blerë rrymë prej Serbisë? Pyetni këta ministrat e famshëm të Kurtit dhe Kurtin se prej kujt po e bleni rrymën. Këtij (Kurtit) po i doket shtrenjtë me prodhu në Kosovë 86 euro por s’po i doket shtrenjtë me e ble 250, e që varion deri në 450 euro, 86 euro me e ble në Kosovë shtrenjtë, me e ble prej Serbisë 450 euro nuk është shtrenjtë”.

Më 30 shtator, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Rizvanolli këtë vendim e ka arsyetuar se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore