Lajme

“E mbrojti popullin e Kosovës në vitin 1999”, Haradinaj për intervenimin e NATO-s


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka marrë pjesë në konferencën organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, me temë; “Hartimi i Rrugës së Kosovës: 25 vjet pas operacionit të Forcave Aleate dhe synimi për anëtarësim në NATO”.

“Bashkëpunimi ynë me NATO-n nisi në kohërat më të vështira për popullin tonë, në marsin e vitit 1999. Kjo aleancë politiko-ushtarake u vendos në mbrojtje të popullit të Kosovës dhe vazhduan me misionin e tyre edhe pas çlirimit, duke ofruar ndihmë në ngritjen e kapaciteve të ushtrisë sonë dhe duke qenë garantues i sigurisë së vendit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Tutje, kreu i AAK-së ka shtuar se diplomacia e Kosovës sado që e re, ka dhënë shembuj të krijimit të miqësive dhe roli i tyre është shumë i rëndësishëm në arritjen e synimeve të Kosovës si shtet.

“Mirënjohës për punën e ambasadorëve, konsujve dhe stafeve diplomatike. Republika e Kosovës ju falënderon”.

Më 24 mars bëhen 25 vjet nga fillimi i sulmeve ajrore të Aleancës Veri-Atlantike kundër caqeve ushtarake policore në ish-Jugosllavi.

Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet u ndërprenë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.

Marrëveshje u pasua me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore