Lajme

Haradinaj për masakrën e Srebrenicës: Mijëra jetë u shuan nga aparati shtetëror i Millosheviç-it


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Në 28 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar këtë masakër.

Haradinaj, është shprehur se “projektet shoviniste të Sllobodan Millosheviç-it”, nuk kishin kursyer asnjë person.

“Kujtojmë sot mijëra jetë të shuara në Srebrenicë, nga aparati shtetëror i Millosheviçit. Njerëz të pambrojtur e pa asnjë faj, përfshirë edhe fëmijë, gra e të moshuar, pësuan nga projektet shoviniste të realizuara përmes gjenocidit”, ka thënë Haradinaj në rrjetin social ‘Facebook’. 

Ai ka thënë se masakra e Srebrenicës nuk e kishte ndal regjimin e Millosheviç-it që të bëjë masakra edhe në Kosovë.

“Masakra e Srebrenicës, 28 vjet më parë, fatkeqësisht nuk e ndali regjimin e Millosheviçit të kryejë masakra të tjera në Kosovë, me përmasa të një gjenocidi të ri. Qoftë i përjetshëm kujtimi për viktimat!”.

Edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka përkujtuar viktimat e Masakrës së Srebrenicës.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka theksuar se mbi 8 mijë civilë boshnjakë janë vrarë brutalisht kur forcat serbe kishin sulmuar “zonën e sigurt” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në Srebrenicë.

“Në këtë ditë, 28 vjet më parë, 8372 civilë boshnjakë u vranë brutalisht. Ata u vranë pasi forcat serbe sulmuan ‘zonën e sigurt’ të OKB-së në Srebrenicë. Deri më sot, në Serbi ka mohim për gjenocidin e Srebrenicës”, ka shkruar Çitaku, duke thënë “se kjo masakër nuk do të harrohet kurrë”.

Në korrik të 1995-ës, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenica.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore