Shqipëria

Hapja e vitit të ri gjyqësor në Turqi/ Sadushi flet për përfitimet nga vetingu


Në Turqi, Gjykata e Kasacionit ka zhvilluar ceremoninë e hapjes së vitit të ri gjyqësor 2021-2022 në një aktivitet të rëndësishëm ku ka qenë i ftuar edhe Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Sokol Sadushi.

Aktiviteti kishte të bënte me mbajtjen e një konference ndërkombëtare me titull: “Ekselenca në vendimmarrjen e Gjykatave të Larta”.

Aty, Sadushi ka patur mundësinë të mbajë një fjalim përshëndetës, ku edhe ka prezantuar rolin e Gjykatës së Lartë pas ndryshimeve Kushtetuese e ligjore, sfidat me të cilat u përball ajo si pasojë e procesit të vettingut dhe vështirësitë që solli periudha pandemike.

Lidhur me vetingun, ai ka sqaruar se “erdhi si nevojë e domosdoshme pas mungesës së suksesit të reformave të mëparshme, të cilat nuk arritën të përmirësonin cilësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë, si dhe nuk arritën të parandalojnë korrupsionin në sistem, pavarësisht masave të marra për këtë qëllim”.

Nga ana tjetër, ka paraqitur edhe një rezyme të efektit që pati reforma e re.

“Mbi 50 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë shkarkuar nga detyra më së shumti për shkak se nuk justifikuan pasuritë e tyre me burime të ligjshme të të ardhurave. Si rezultat i procesit të rivlerësimit (vetting) Gjykata e Lartë mbeti me 2 gjyqtarë (nga 19 gjyqtarë që kishte para reformës)”, ka treguar Sadushi.

Ai ka vijuar se kjo ka imponuar nisjen e një procesi emërimi të gjyqtarëve të rinj.

“Tre gjyqtarë të rinj u emëruan në mars 2020, pak pas shpalljes së pandemisë. Pas më shumë se një viti, gjashtë gjyqtarë të tjerë ndoqën të parët. Janë ende nëntë gjyqtarë për t’u emëruar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor në muajt që vijnë”, ka treguar ai.

Gjithashtu Sadushi ka përmendur edhe hapat e shpejtë dhe të nevojshëm në kuadër të masave të marra prej gjyqtarëve të emëruar në mars të vitit 2020 e më tej, për të ulur numrin e çështjeve të prapambetura dhe rritjen e besimit të publikut tek kjo gjykatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore