Lajme

Halimi, Kurtit: Para se të ligjërosh në Greqi, duhet të raportosh në Kuvend për ultimatumin që ke marrë nga pesëshja e madhe


Sibel Halimi

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të duhej të raportonte në Kuvend “për ultimatumin që ka marrë” nga “pesëshja e madhe”, duke iu referuar vizitës të së shtunës, “para se të ligjërojë nga Greqia për trazirat në Evropë e problemet në të katër anët e botës”.

Këto komete, Halimi i ka bërë pasi që Kurti ka shkuar – për herë të shtatë – në Greqi, ku ka marrë pjesë në panelin diskutues të organizuar nga “The Economist”.

“Shumë populist në mitingje zgjedhore e njeri i prapaskenës në veprime, kryeministri ka përbrendësuar një qasje mosbesuese kundruall opozitës, medias e miqve të Kosovës dhe çka është më e frikshmja, ai ka hyrë në ujëra të turbullta me politika konfliktuoze”, ka shkruar ajo në Facebook.

Kuvendi në anën tjetër, pohon zëdhënësja e LDK-së, jo vetëm që nuk e kryen detyrën e tij, “por shpesh abuzon me të drejtën e deputetëve të shumicës që lirshëm të deklarohen”.

“Tempulli i demokracisë nuk është zgjatim i ekzekutivit; i pari e mbikëqyr dhe kontrollon këtë të dytin. Ky deformim, kjo stërkeqje e konstitucionalizmit shtetëror, është rrezik shtesë për Republikën tonë!”, vlerëson Halimi.

Edhe pas 24 shtatorit BE me kërkesa të njëjta – Krejt çka ndodhi në vizitën e “Pesëshes së Madhe”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore