Lajme

Hajdutët e rrymës


Foto: Venhar Mehmeti.

164 keqpërdorime të energjisë u raportuan nga Ministria e Ekonomisë se kanë ndodhur vetëm këtë jave me energjinë elektrike.

Për shkak të vjedhjes së rrymës, deri në 40 konsumatorë shkyçen brenda një dite nga rrjeti elektrik.

Që nga muaji gusht, atëherë edhe kur kishin filluar paralajmërimet për krizë energjetike që do të mbërthej edhe Kosovën, ku meqë rast do të ishte e nevojshme të fillohej edhe me reduktime të rrymës për shkak të çmimit të lartë në berzat ndërkombëtare, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), kishte rritur kontrollin.

Rritja e kontrollit kishte nisur nga ekonomitë familjare dhe komerciale, që dyshohej se shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë të paautorizuar.

Arben Gjukaj, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në një bisedë për Albanian Post, sqaron të gjitha arsyet se pse ndodh keqpërdorimi i energjisë elektrike vazhdimisht.

“Arsyeja e keqpërdorimeve mbi energjinë elektrike janë për arsyeje të shumë faktorëve. Por, kryesisht janë faktorët e brendshme që janë nën kontrollin e kompanisë së distribucionit dhe faktorët e jashtëm që kanë të bëjnë me institucionet e zbatimit të ligjit”, thotë Gjukaj për AP.

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

Por, sipas tij, rritja e këtyre rasteve ndodh për shkak se nuk ndërmerren veprime të duhura në këtë drejtim.

“Faktorët e jashtëm, kanë një ndikim mjaft kryesor sepse mos ndëshkimi i keqpërdoruesve nga organet e zbatimit të ligjit, ka lënë hapësirë që këto vepra të rritën në vazhdimësi edhe pse tashmë është e sanksionuar me ligj se keqpërdorimi i energjisë elektrike është klasifikuar si vepër penale”.

Problem për ish drejtorin e KEK-ut, vazhdojnë të jenë edhe faktorët e brendshëm.

“Faktorët e brendshme, ku përgjegjëse është vetë kompania që merret me distribuimin dhe furnizimin me energji elektrike kanë të bëjnë me procedurat dhe trajnimin e duhur të ekipeve për zbulimin e keqpërdorimeve të energjisë elektrike mbi faktimin me prova bindëse për organet ligjzbatuese”.

Rastet e keqpërdorimet me energji elektrike në ulje apo në ngritje?

Mirëpo, problemi me keqpërdorimin e energjisë elektrike nuk u shfaq për herë të parë në vitin 2022 në Kosovë.

Për ish-ministrin e Financave, Haki Shatri, humbjet e rrymës po e përcjellin Kosovën që nga paslufta.

“Problemi me keqpërdorime të energjisë, është tash e një kohë të gjatë deri sa janë konsoliduar pak më mirë institucionet për ta përcjellur energjinë dhe faturojnë atë. Me privatizimin e KEK-ut, normalisht që janë interesuar që të ulin humbjen e energjisë. Ata e kanë përmirësuar shërbimin, e luftojnë këtë dukuri vazhdimisht, por prapë ka keqpërdorues që kyçen ilegalisht dhe është vështirë t’i gjesh”.

Sipas Shatrit, ka ulje të rasteve për keqpërdorim të energjisë për një arsyeje të qartë.

Keqpërdorimet me energji elektrike për një javë në Kosovë.

“Është vështirë të kuptohen keqpërdorimet me energji, mirëpo konsideroj që në të kaluarën ka pasur shumë më shumë edhe brenda territorit që ka qenë i kontrolluar më mirë territorit të Kosovës, serbët në Veri nuk kanë paguar kurrë, as sot nuk janë duke paguar dhe kjo është vjedhje e haptë si lloj plaçkitje, mirëpo ndër vite konsideroj që kjo ka shkuar duke u zvogëluar pasi KEK-u është privatizuar”.

Ai shprehet se edhe pse në kohën kur ishte ministër, fokusi kryesor nuk ka qenë tek energjia pasi për këtë fushë ka qenë një dikaster i veçantë.

Prapë se prapë, interesim ka pasur për procesin e punës.

“Në kohën kur unë kam qenë ministër i Financave, kishte filluar konstituimi i institucioneve atë pjesë e ka menaxhuar KEK-u si ndërmarrje publike e ka menaxhuar UNMIK-u shtylla e katërt. Ata i kanë përcjellur ato do të thotë ka qenë pak më pjesë e ndarë për neve, por sigurisht na ka interesuar për mbarëvajtje të punës”.

Cilat janë mënyrat e parandalimit?

Gjukaj, sqaron se edhe pse ka ngecje në parandalimin e rasteve të tilla, sërish ekzistojnë metoda efikase të cilat mund të dërgojnë drejt përmirësimin në këtë drejtim.

Sipas tij, ndalja e rasteve të tilla mund të bëhet duke zbatuar katër procese të rëndësishme.

“Investimi në teknologjinë e fundit në parandalimin e keqpërdorimeve si dhe në identifikimin më të lehtë të tyre”.

“Këmbëngulja më e madhe e kompanisë së distribuimit dhe furnizimit në zbulimin e rasteve të tilla”.

Ai konsideron se edhe bashkëpunimi me institucionet e nevojshme mund të ndihmonte në raste të tilla.

“Bashkëpunimi më i ngushtë me organet ligjzbatuese në ndëshkimin e keqpërdoruesve të energjisë elektrike”.

Njëra nga metodat që aplikohet për ndalimin e keqpërdorimit të energjisë elektrike në Kosovë.

Por edhe, “fushatat informuese dhe edukuese të konsumatorëve në vazhdimësi”.

Nga KEDS-i në të kaluarën ishte thënë se kanë investuar në njësorë digjitalë dhe njësi matëse dhe këto investime kanë ndikuar që ndër vite të bie niveli i vjedhjes së rrymës.

Por, sërish kjo kompani kishte thënë se humbjet e energjisë vazhdonin të jenë të mëdha.

Ndërkaq, nga ministria e Ekonomisë, ishte thënë se janë duke ndërmarrë masa për të dhënë ndihmën e duhur në ndërprerjen e përdorimit të paautorizuar të energjisë elektrike së bashku me organet ligjzbatuese dhe kompaninë KEDS.

Gjithashtu ishte paralajmëruar se do të merren masa shtesë për këtë dukuri.

Përveç që vjedhja e energjisë elektrike është vepër penale sipas Kodit Penal, ajo po ashtu përbën kosto të papërballueshme që duhet të paguhen nga paratë e të gjithëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore