Sport

Haaland thyen tjetër rekord në Premier Leauge


Erling Haaland është duke treguar formë fantastike me Manchester City-n këtë sezon.

Bomberi norvegjez i shënoi dy gola në fitoren e mbrëmshme të City-t ndaj Leeds United me rezultat 1:3 në udhëtim, derisa arriti shifrën e 20 golave të shënuar në elitën e futbollit anglez.

Kështu, Haaland bëhet lojtari më i shpejtë që e arrin këtë shifër të golave në Premier Leauge.

Deri më tani, i pari që kishte shënuar 20 gola, ishte Kevin Phillips. Ish-sulmuesi i Southampton dhe Sunderland, ishte ai që mbante rekordin e lojtarit që shënoi më shpejt se të gjithë 20 golat e parë në Premier League në 21 takime të zhvilluara.

Tani ky rekord i përket Haaland, i cili e arriti kuotën e 20 golave në ishull në shtatë takime më pak se ish-lojtari i kombëtares angleze, ndërkohë që Guardiola i gëzohet efikasitetit të goleadorit të tij.

Kujtojmë që përveç këtyre golave, Haaland ka dhuruar edhe tre asistime në Premier Leauge, ndërkohë që edhe pesë gola të tjerë i ka shënuar në Ligën e Kampionëve dhe një në EFL Cup.

Ai gjithashtu numëron edhe gjashtë rrjeta e një asistim me kombëtaren e Norvegjisë në këtë edicion në Ligën e Kombeve, shifra këto që 22-vjeçarin e çojnë në 32 gola e katër asistime në 26 ndeshje me ekipin dhe kombëtaren e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore