Shqipëria

Gutierrez për AP: Çdo vit KiE-ja regjistron një alarm për sjelljen e Veliajt, ai ka një problem të qartë me shtypin dhe gazetarët


Ricardo Gutierrez ndjek prej kohësh nga afër situatën e lirisë së medias në Ballkan, e ditën e djeshme i kërkoi kryebashkiakut të Tiranës që të ndalonte “denigrimin ndaj gazetarëve që guxojnë t’i kërkojnë llogari”.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve zbuloi në një komunikim me Albanian Post se janë tre sinjalizime ndaj administratorit të kryeqytetit në Këshillin e Evropës.

“Këshilli i Evropës çdo vit regjistron një alarm lidhur me sjelljen e z. Veliaj! Unë nuk njoh asnjë kryetar bashkie të një qyteti të madh që të jetë subjekt i kaq shumë raporteve. Veliaj ka qartësisht një problem me shtypin dhe gazetarët. Ai qartazi nuk duron dot as kritikën më të vogël dhe nuk përgjigjet me argumente, por me kërcënime, gjë që tregon dobësinë e tij”, deklaron fillimisht për Albanian Post kreu i organizatës evropiane.

Ai shprehet se në Platformën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Gazetarisë do të gjendet një alarm i ri bazuar në frikësimin e gazetares Ola Xama.

“Nuk jam kontaktuar nga Ola Xama. Siç e dini, unë po ndjek nga afër situatën e lirisë së medias në Ballkan. E vura re rastin e saj dhe e kontaktova, pasi publikova deklaratën time në FB. Siç ju thashë, këtë rast shumë të rëndë do ta raportojmë edhe në Këshillin e Evropës”, garanton Ricardo Gutierrez.

Në përmbyllje, sekretari i EFJ-së vëren se është kontaktuar nga gazetarë të tjerë në lidhje me këtë rast, por të gjithë kanë të drejtë të kërkojnë mbështetjen e filialit të organizatës në Shqipëri, Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA).

Ndërtimi i situatës

Gazetarja Ola Xama në një artikull të publikuar më 13 korrik shkruan se projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Veliaj, duke iu referuar dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

“Në janar të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dërgoi një propozim qeverisë për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, PPP. Përmes një shkrese të dërguar në adresë të ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, Veliaj e mbështet idenë në një studim fizibiliteti të hartuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, për PPP dhe një studim të Korporatës Ndërkombëtare Japoneze, JICA, për zgjerimin e venddepozitmit të mbetjeve në Sharrë”, shkruhet në publikimin e botuar nga BIRN.

Pas publikimit të investigimit, Veliaj refuzoi kërkesën e BIRN për koment.

“Një ditë pas publikimit, Veliaj i shkruante gazetares se ajo i kishte ngatërruar faktet dhe e quajti atë ‘militante’. Në një komunikim tjetër me gazetaren, ai i ka thënë ‘nuk je gazetare, je vrasës me pagesë’. Disa media u angazhuan në një fushatë negative kundër Ola Xamës, duke përdorur të njëjtat fjalë si Veliaj”, shkruante Gutierrez në reagimin e tij në median sociale.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve, të quash një gazetar “vrasës me pagesë është një akuzë e rëndë që mund të çojë në ngacmime në internet dhe madje edhe kërcënime fizike”.

Ai theksoi se përdorimi i fjalëve të tilla rrezikon seriozisht gazetaren dhe dekurajon atë dhe koleget që të kryejnë punën e tyre si gazetare në interes të publikut.

“I kam kërkuar disa herë në të shkuarën zotit Veliaj që të mos frikësojë dhe denigrojë gazetarët dhe qytetarët shqiptarë që guxojnë ta kërkojnë llogari. Këtë herë do t’i drejtohem në shqip. Ndoshta ai do të dëgjojë më shumë?”, nënvizoi Gutierrez.

Gutierrez i bën thirrje Veliajt që të ndalojë “denigrimin ndaj gazetarëve që guxojnë t’i kërkojnë llogari”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore