Shqipëria

Gutierrez i bën thirrje Veliajt që të ndalojë “denigrimin ndaj gazetarëve që guxojnë t’i kërkojnë llogari”


Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez i ka kërkuar kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që të ndalojë “denigrimin ndaj gazetarëve që guxojnë t’i kërkojnë llogari”.

Lajmi u bë i ditur nga Gutierrez, duke cituar statusin e tij në median sociale “Twitter”.

“Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj nuk mund të ndalet së denigruari gazetarët që guxojnë t’i kërkojnë llogari. Ai e quajti gazetaren e BIRN, Ola Xama, një ‘vrasëse me kontratë’ pasi ajo shkroi për një projekt të diskutueshëm të menaxhimit të mbetjeve në Tiranë. Zoti Veliaj, ndaloni denigrimin e gazetarëve. Mjaft Më”, shkruan Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve.

Gutierrez shkruan se aktualisht po zhvillohen hetime që përfshijnë figura të rëndësishme politike për mënyrën e menaxhimit të mbetjeve në kryeqytetin shqiptar.

Gazetarja në një artikull të publikuar më 13 korrik shkruan se projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Veliaj, duke iu referuar dosjes hetimore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

“Në janar të vitit 2016, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i dërgoi një propozim qeverisë për mundësinë e përfshirjes së sektorit privat në fushën e menaxhimit dhe trajtimit të mbetjeve urbane të kryeqytetit, përmes një kontrate të partneritetit publik-privat, PPP. Përmes një shkrese të dërguar në adresë të ministrit të atëhershëm të Financave, Shkëlqim Cani, Veliaj e mbështet idenë në një studim fizibiliteti të hartuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare, IFC, për PPP dhe një studim të Korporatës Ndërkombëtare Japoneze, JICA, për zgjerimin e venddepozitmit të mbetjeve në Sharrë”, shkruhet në publikimin e botuar nga BIRN.

Pas publikimit të investigimit, Veliaj refuzoi kërkesën e BIRN për koment.

“Një ditë pas publikimit, Veliaj i shkruante gazetares se ajo i kishte ngatërruar faktet dhe e quajti atë ‘militante’. Në një komunikim tjetër me gazetaren, ai i ka thënë ‘nuk je gazetare, je vrasës me pagesë’. Disa media u angazhuan në një fushatë negative kundër Ola Xamës, duke përdorur të njëjtat fjalë si Veliaj”, vijon Gutierrez.

Për Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Evropiane të Gazetarëve, të quash një gazetar “vrasës me pagesë është një akuzë e rëndë që mund të çojë në ngacmime në internet dhe madje edhe kërcënime fizike”.

Ai shton se përdorimi i fjalëve të tilla rrezikon seriozisht gazetaren dhe dekurajon atë dhe koleget që të kryejnë punën e tyre si gazetare në interes të publikut.

“I kam kërkuar disa herë në të shkuarën zotit Veliaj që të mos frikësojë dhe denigrojë gazetarët dhe qytetarët shqiptarë që guxojnë ta kërkojnë llogari. Këtë herë do t’i drejtohem në shqip. Ndoshta ai do të dëgjojë më shumë?”, ravijëzon në përmbyllje Gutierrez.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore