Shqipëria

Gushti, muaj i hapur vaksinimi


I gjithë muaji gusht do të jetë muaj i vaksinimit të hapur për personat mbi 18 vjeç.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një vizitë që ajo bëri në qendrën shëndetësore numër 1, në Tiranë.

Një ftesë e radhës ka shkuar për të moshuarit që ende nuk kanë kryer një dozë të vaksinave kundër COVID-19.

Tashmë, gjatë gjithë gushtit, ata mund të paraqiten pranë çdo qendre shëndetësore apo qendrave të vaksinimit masiv. Gjithçka duhet për të kryer një dozë, është karta e identitetit.

Kjo nismë është në vijim të javës së hapur të vaksinimit që u zhvillua nga data 19 deri në 25 korrik.

Gjatë saj, rreth 70 mijë qytetarë u vaksinuan me një dozë. Mesatarja prej rreth 10 mijë dozash ditore, është ruajtur edhe gjatë ditëve vijuese. Mirëpo, me këtë fushatë të re të ndërmarrë, synohet që të masivizohet edhe më shumë vaksinimi.

Kjo, në përpjekje për të përballuar sa më lehtë një sezon të ardhshëm dimri. Me zyrtarizimin e ardhjes së variantit Delta në Shqipëri, thirrjet janë shtuar për qytetarët, që të marrin vaksinën kundër COVID-19.

Në tërësi në Shqipëri, janë imunizuar 1 milion e 168 mijë e 308 persona. Prej tyre, gjysmë milioni e kanë përfunduar procesin.

Doza të reja mbërrijnë në mënyrë javore në Shqipëri. Nga kompania Pfizer, vijnë dozat e kontraktuara nga vetë distributori amerikan, nga donacionet e Bashkimit Evropian si edhe nga mekanizmi Covax.

Doza vijnë edhe nga kinezët e Sinovac, britanikët e AstraZeneca dhe rusët e Sputnik V.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore