Shqipëria

Greqia vazhdon lojën me afate, shqiptarët protestojnë në Athinë


Të martën e 8 qershorit, komuniteti i shqiptarëve në Greqi ka paralajmëruar një protestë paqësore në sheshin “Sintagma” të Athinës.

Kjo protestë vjen pas shtyrjeve të vazhdueshme të afateve nga pala greke për hapjen e kufirit me Shqipërinë.

Kërkesat i adresohen qeverisë greke për mbylljen e kufirit me Shqipërinë. Kjo, sipas tyre, është qasje me dy standarde, sepse me shtetet e tjera ndodh krejtësisht e kundërta.

Komuniteti kërkon që zëri i tyre të dëgjohet nga qeveria greke. Ata bëjnë thirrje për të rishikuar qasjen e padrejtë ndaj tyre, qytetarëve të saj, pasi vazhdon me penalizimin, duke mbajtur mbyllur pikat doganore.

Ata thonë se kjo u privon një të drejtë themeltare, për të udhëtuar drejt vendlindjes dhe anasjelltas, ku ata zgjodhën të jetojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre, në Greqi.

“I bëjmë thirrje çdo qytetari, bashkatdhetari, intelektuali, organizate, shoqate etj., që të organizohemi dhe të protestojmë në mënyrë demokratike, pasi nga qeveria shqiptare nuk kemi pasur asnjëherë mbështetje”, shkruhet në përmbyllje të deklaratës së publikuar në Facebook.

Afati i ri

Afati i autoriteteve greke, për të hyrë në shtetin helen, është shtyrë dhe njëherë tjetër. Nga data 15 qershor do të rishikohet hyrja e shtetasve shqiptarë në Greqi.

Shtetasit shqiptarë, që kanë leje për të hyrë në tokën greke, duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit PLF në adresën http://www.travel.gov.gr.

Të hënën e 7 qershorit, Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë ka dalë me një deklaratë, ku sqaron regjimin e hyrje-daljeve të shtetasve. Autoritetet e Policisë Greke ende vijojnë me masat e pandemisë Covid-19 çka ka sjellë dhe reduktimin e lëvizjeve në kufirin shqiptaro-grek.

“Autoritetet e Policisë Greke, në vijim të masave të marra nga qeveria greke mbi përballimin e situatës së krijuar për shkak të pandemisë Covid-19, kanë njoftuar palën shqiptare se regjimi i hyrje-daljeve të shtetasve, nuk do të ndryshojë deri në datën 14.06.2021”, shkruhet në deklaratën e Policisë Kufitare së Kapshticës.

Por, në drejtim të Greqisë mund të lejohet hyrja e atyre që kanë statusin e punëtorit sezonal. Këta shtetas i nënshtrohen një testi të shpejtë Covid-19, pranë palës greke.

Sipas të dhënave nga Policia Kufitare e Kapshticës, kuota ditore vijon të jetë 400 persona. Sistemi i formularit të regjistrimit shfaq, herë pas here, probleme teknike dhe funksionale, por kjo gjë me sa duket nuk përbën problem për sa kohë shtetasit shqiptarë lëvizin drejt Greqisë.

Problematika me sistemin

Gjatë këtyre ditëve ka pasur problematika edhe me sistemin e plotësimit të formularit të regjistrimit, i cili ka qenë jo-funksional për një periudhë pa afat.

Albanian Post ka kontaktuar ambasadën greke lidhur me këtë çështje, por me gjithë interesimin, nuk ka marrë përgjigje konkrete.

Zyrtarët nga Dogana e Kapshticës, po ashtu, kanë hezituar të japin informacione në pyetjen nëse ka denoncime për vonesa apo probleme të ngjashme me formularët online.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore