Shqipëria

Greqi: Zgjaten kufizimet e udhëtimit deri më 3 dhjetor, Shqipëria nuk “preket”


Autoritetet greke kanë zgjatur edhe për një javë – deri më 3 dhjetor – ndalimin e hyrjes për shumicën e udhëtarëve nga jashtë Bashkimit Evropian dhe Zonës Schengen.

Vendimi është bërë i ditur nga Autoriteti Helen i Aviacionit Civil. Ky i fundit ka theksuar se të drejtë për të hyrë pa kufizime mbeten shtetasit e vendeve të BE-së dhe ZEE-së.

Ky kufizim nuk prek Shqipërinë. Shtetasit e kësaj të fundit mund të lëvizin drejt kombit helen edhe për qëllime jo thelbësore.

Përveç Shqipërisë nga Ballkani Perëndimor drejt shtetit grek mund të udhëtojnë edhe qytetarët nga Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Përveç këtyre nga vendet e treta lejohen të hyjnë banorët e vendeve të mëposhtme: Australi, Andorra, Armenia, Azerbajxhan, Argjentinë, Bahrein, Bjellorusi, Brunei, Kanada, Kinë, Kili, Taipei kinez, Izraeli, India, Japonia, Jordania, Kuvajti, Libani, Moldavia, Monako, Zelanda e Re, Omani, Katari, Rusia, San Marino, Arabia Saudite, Koreja e Jugut, Singapor, Turqi, Ukraina, Emiratet e Bashkuara Arabe, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uruguai dhe Vatikani.

Kushtet për të hyrë në Greqi

Udhëtarët që kanë të drejtë të hyjnë në vend mbeten të detyruar të plotësojnë formularin e gjetjes së pasagjerëve, për të cilin do të marrin një konfirmim në email-in e tyre. Më pas duhet ta mbajnë këtë konfirmim me vete kur të paraqiten në portet greke të hyrjes.

Të gjithë udhëtarët duhet të tregojnë ose prova të vaksinimit kundër COVID-19, dëshmi të rikuperimit nga COVID-19 në 180 ditët e fundit, por jo brenda 30 ditëve të fundit, dhe rezultate negative të testit COVID-19.

Testet PCR pranohen nëse janë bërë brenda 72 orëve të fundit ose një test i shpejtë i kryer në 48 orët e fundit para mbërritjes në Greqi.

Në të njëjtën kohë, udhëtarët që kanë të drejtë të hyjnë në Greqi i nënshtrohen gjithashtu një testi të shpejtë pas mbërritjes.

Në rast se një udhëtar rezulton pozitiv, i njëjti do të duhet të bëjë një test PCR menjëherë. Nëse edhe kjo e fundit rezulton pozitive, udhëtari duhet të kalojë në karantinë për një periudhë dhjetë ditore.

Ndërsa udhëtarët nga Rusia, pavarësisht nga statusi i tyre i vaksinimit dhe rikuperimit, ata janë të detyruar të paraqesin – përpara udhëtimit të tyre në Greqi – qoftë me një test PCR-je ose një test të shpejtë.

Përdorimi i maskave është i detyrueshëm në të gjitha aeroportet në Greqi. Linjat ajrore duhet të sigurohen që udhëtarët të mbajnë maskat e tyre edhe gjatë fluturimeve.

Qeveria greke më herët ka bërë të ditur se vendi pranon si provë të vlefshme vaksinimi të gjitha vaksinat e prodhuara nga kompania: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca, Johnson & Johnson, Sinovac (CoronaVac), AstraZeneca – Instituti i Serumit të Indisë (Covishield),  Novavax, Sputnik V, Cansino Biologics dhe Sinopharm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore