Lajme

Grenell: Veprimet e Kurtit paraqesin rrezik për jetën e ushtarëve amerikanë – në këtë kohë vërehet mungesa e Thaçit


Richard Grenell

Ish-Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se injorimi i kërkesave të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, paraqet rrezik për ushtarët amerikanë që shërbejnë në misionin paqeruajtës të NATO-së në Kosovë (KFOR).

Grenell, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të mërkurën, duke komentuar mosgatishmërinë e kreut të ekzekutivit që ta pranojë kërkesën e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë (QUINT) për shtyrjen e zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), tha se “sjellja e paparashikueshme” e Kurtit duhet të jetë aryse për shqetësim.

“Nëqoftëse Kurti dëshiron që amerikanët të vazhdojnë të paguajnë dhe të mbrojnë sigurinë e rajonit nëpërmjet trupave të NATO-s, atëherë ai duhet t’i ndalojë lëvizjet e njëanshme që rrezikojnë sigurinë e 572 burrave dhe grave amerikane që aktualisht shërbejnë në Kosovë”, shkroi ai, ndërsa shtoi se kjo çështje duhet të merret parasysh nga presidenti amerikan Joe Biden.

“Kurti po rrezikon jetën e amerikanëve me veprimet e tij. Ai duhet të ndalojë luftën – ose trupat amerikane duhet të tërhiqen dhe të kthehen në shtëpi për shkaqe sigurie”, nënvizoi Grenell, duke komentuar mbi rregulloren e re të BQK-së, ku specifikohet se monedha e vetme që lejohet për kryerjen e transaksioneve është euro dhe rrjedhimisht, përjashtohet dinari serb.

Madje, ish-Emisari i Posaçëm i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, konsideroi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nuk duhet të bjerë “viktimë e karremit” të kryeministrit Kurti për të përshkallëzuar tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë dhe të refuzojë përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të përfituar nga situata e brishtë.

“Dhe në vend të kësaj duhet të qëndrojë pranë SHBA-së dhe BE-së. Dhe kjo do të thotë se komuniteti ndërkombëtar duhet të merret menjëherë me veprimet e fundit të njëanshme të Kurtit dhe mospërfilljen e kërkesave të SHBA-së dhe BE-së. Në kohëra sikurse këto, të gjithëve na mungon Hashim Thaçi (ish-presidenti i Kosovës)”, përfundoi Grenell.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, përveç valutës euro, deri tani është përdorur edhe dinari. Në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – çmimet nëpër dyqane janë shënuar me dinarë. Viteve të fundit është praktikuar edhe importimi i dinarëve nga Serbia, por nga 1 shkurti kjo praktikë pritet të ndalet.

“Financial Times” dhe “The Telegraph”: Kosova sfidon QUINT-in për dinarin, rajoni kërcënohet nga një tjetër krizë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore