Kosova

Grenell: Escobar dhe NATO po e shohin që Kurti s’është i mirë për ShBA-në, erdhën në politikën e Trump-it


Richard Grenell

Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë – Serbi, ka thënë këtë të marte se i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, aleanca ushtarake e NATO-s, francezët, britanikët dhe gjermanët “janë pajtuar me politikën e Donald Trump dhe e pranojnë se (Albin) Kurti nuk është shumë i mirë për Amerikën”.

Grenell beson që qasja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “është problematike dhe se ai është shumë antiamerikan”, duke shtuar se “ka një video ku Kurti është shumë i zhurmshëm dhe thotë se e ardhmja e Kosovës nuk duhet të jetë me ShBA-në, sepse nuk ka kuptim për Kosovën”.

“Unë mendoj se ai ka të drejtë për këtë, por atëherë ai nuk mund të presë që Amerika të vazhdojë ta financojë atë dhe të vazhdojë të ketë një partneritet me të. Populli amerikan po punon shumë, ne jemi të lodhur duke u dhënë para njerëzve që nuk e vlerësojnë atë dhe që nuk duan të bashkëpunojnë me ne”, ka deklaruar Grenell, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Sipas tij gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, rajoni i Ballkanit “ishte paqësor dhe punoi së bashku për ekonominë dhe krijimin e vendeve të punës”.

“Qëndrimi ynë ishte: kujt i intereson nëse të dyja palët e njohin njëra-tjetrën apo jo, ajo që duhet të bëjnë qeveritë është të krijojnë kushte për zbatimin e të gjitha ligjeve dhe marrëveshjeve, të kenë kufij të hapur për kompanitë perëndimore që krijojnë vende pune, investojnë para, krijojnë një jetë; ku të rinjtë janë të gatshëm të qëndrojnë në vend, në vend që të shkojnë në Gjermani, Hungari apo Poloni”, shtoi Grenell.

Ndryshe, Grenell nëpërmjet një cicërime në rrjetin social “Twitter”, para disa ditëve, tha t’i ketë parë pasojat me të cilat do të përballet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rast se nuk i respekton kërkesat e SHBA-ve për de-eskalimin e situatës në veri të vendit.

Madje, pohoi Grenell, ato nuk janë hiç të hijshme.

“Kurti nuk e kupton se çfarë po ndodh me Kosovën. Komuniteti ndërkombëtar i ka dhënë atij një afat deri të premten për t’iu përmbajtur angazhimeve që vendi i tij ka marrë më parë. Miqtë e mi në Kosovë duhet të përgatiten për pasoja të rënda nëse Kurti nuk i respekton. Unë i kam parë pasojat dhe nuk janë të hijshme”.

Kosova rrezikon të futet në mesin e atyre pak shteteve që janë nën sanksionet amerikane dhe ende po mbrohet nga zyrtarët amerikanë, së paku nga terminologjia e përdorur, ndërsa kryeministri Kurti është i pari lider që merr një ultimatum nga administrata amerikane.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta që SHBA-të dhe Bashkimi Evropian ia kanë paraqitur kreu të ekzekutivit, ndërsa përgjigjen e presin të premten. Përndryshe, pason ndëshkimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore