Lajme

Gratë kanë bartur barrën ekonomike të pandemisë, sipas ministres australiane


Ministrja australiane e Financave, Katy Gallagher, do t’i kërkojë botës që të mos humbasë mundësinë për të përmirësuar barazinë ekonomike dhe gjinore në vazhdën e pandemisë COVID-19, duke thënë se gratë janë përballur me “pasoja ekonomike” më të mëdha të krizës.

Lajmi u bë i ditur nga kompania amerikane “Bloomberg”, duke cituar fjalën e zyrtares gjatë Konferencës së Fuqizimit të Grave G-20 në Indonezi.

Gallagher, e cila është gjithashtu Ministre për Gratë, deklaroi se dëshiron që vendi i saj të bëhet një “lider global në barazinë gjinore”.

“Një gjë ne e dimë me siguri: që prej muajve të parë të pandemisë, gratë kanë bartur peshën kryesore të pasojave ekonomike, kryesisht përmes roleve të tyre si kujdestare të paguara dhe të papaguara”, u shpreh Gallagher.

Barazia gjinore ishte një çështje kryesore në zgjedhjet e vitit 2022, ku votuesit femra kishin më shumë gjasa se meshkujt të votonin kundër qeverisë së atëhershme të koalicionit Kombëtar Liberal.

Kjo, pas akuzave të shumta për sjellje të pahijshme seksuale në parlament.

Australia ra në vendin e 50-të në Raportin Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror në 2021, nga vendi i 15-të në vitin 2006.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore