Lajme

Grabitje e armatosur në Prizren, policia nis hetimet


Ilustrim.

Një grabitje e armatosur ka ndodhur të dielën e 7 janarit në Prizren.

Rasti i grabitjes ka ndodhur në një shtëpi, teksa lajmi është kumtuar përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

“Viktima mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte duke qëndruar në shtëpi, një person i maskuar është futur me forcë brenda në shtëpi dhe nën kërcënimin e thikës ka grabitur para të gatshme”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se nuk ka persona të lënduar, ndërsa rasti vazhdon të hetohet.

Po ashtu, një person është arrestuar në Vermicë, kjo për shkak se gjatë kontrollimit në veturën e tij i është gjetur dhe konfiskuar marihuanë.

“Është ndaluar i dyshuari mashkull shtetas i huaj pasi që gjatë kontrollin në veturën e tij është gjetur dhe konfiskuar 6.4 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, një mulli dhe një pako me rizlla”, thuhet në njoftim.

Ndërsa është theksuar se me vendim të prokurorit pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, një shtetas i huaj është raportuar i zhdukur nga e shtuna në Kosovë.

Sipas raportit 24-orësh të PK-së, gruaja e tij ka njoftuar se viktima nga pasditja e kësaj date ka dalë nga shtëpia në Suharekë dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

“Suharekë 06.01.2024 – 17:00. Ankuesja kosovare ka raportuar se bashkëshorti i saj shtetas i huaj, me datën e cekur ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij”, bëhet e ditur në njoftimin e policisë.

Edhe për këtë rast nga ana e Policisë së Kosovës, janë nisur hetimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore