Biznes

Google synon të bëhët anti-Amazon-i i shitjeve online


Google u përpoq të kopjonte strategjinë e Amazon-it, për t’u bërë hapësira më e madhe e shitjeve online në internet. Kjo dështoi. Tani po provon një qasje tjetër: strategjinë anti-Amazon.

Gjigandi i kërkimit virtual e paraqet veten si një mundësi më të lirë e më pak kufizuese për shitësit e pavarur në internet. Kështu, ata janë fokusuar në të drejtuarit e kërkimeve te faqet e shitësve dhe jo te shitja e produkteve të tyre, siç bën Amazon-i.

Vitin e kaluar, Google-i ka hequr tarifat për tregtarët, duke i lejuar ata të paraqesin produktet e tyre falas në listën e rezultateve të kërkimeve. Kjo politikë favorizon bizneset e vogla tregtare, të cilat nuk krijojnë shumë vlerë të shtuar nga shitjet e tyre. Tarifa që ata i detyrohen Amazon-it për çdo shitje, përllogaritet mesatarisht në rreth 25% të vlerës së produktit.

Gjithashtu, Google-i po përpiqet të lehtësojë procesin për dyqanet e vogla e të pavarura të ngarkojnë inventarët e produkteve të tyre në rrjet. Më pas, ata e kanë më të thjeshtë të reklamojnë produktet e tyre e të dalin nëpër listat e rezultateve të kërkimeve. Në këtë mënyrë, u është bërë e mundur 1,7 milionë tregtareve të shesin direkt te konsumatorët.

Por, ashtu si përpjekjet e tjera të mëparshme të Google-it për të konkurruar Amazon-in në këto dy dekada, edhe kjo nuk po jep rezultate të mira.

Google as nuk u afrohet 295 miliardë dollarëve, që u xhiruan nga Amazon për vitin 2020.

“Vlera e përllogaritur e mallrave të shitura në Google, është ndoshta rreth një miliard dollarë”, tha Juozas Kaziukenas, themelues i kompanisë hulumtuese Marketplace Pulse.

Amazon është pjesë integrale e jetëve të Amerikanëve. Kompania i është imponuar Google-it, duke u kthyer në pikë referimi për blerësit dhe tregtarët.

Megjithatë, me pandeminë që ka shtyrë shumë biznese të kalojnë online aktivitetin tregtar, është krijuar një dritare mundësie për Google-in që të rrisë prezencën në tregje.

Duke publikuar mallrat e tyre në Google, dyqanet e vogla kanë shfrytëzuar mundësitë e reklamimit që ofrohen aty, dhe i kanë dhjetërafishuar shitjet e tyre. Tregtarët shfrytëzojnë përqendrimin e shërbimeve në një platformë, për të cilën hasin më shumë vështirësi në Amazon.

Një tjetër arsye pse tregtarët zgjedhin Google, është të ikurit nga uniformiteti i Amazon-it. Google i drejton blerësit te website-et që bizneset ndërtojnë vetë, duke i dhënë mundësinë të paraqesin origjinalitetin e markës së tyre. Amazon, nga ana tjetër, grumbullon të gjitha produktet brenda dyqanit të vet virtual.

Sfida e Google-it qëndron në të ndryshuarit e zakoneve të blerësve online. Momentalisht, trendi tregon se blerësit e shmangin motorin e kërkimit, duke u qasur menjëherë në faqen e Amazon-it. Mbetet për t’u parë nëse listimi i gjithnjë e më shumë aktiviteteve tregtare në Google, do të japë rezultate në përpjekjen e radhës anti-Amazon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore