Shqipëria

Goditet grupi kriminal në Korçë, 12 të arrestuar


Policia e Korçës ka finalizuar më 5 shkurt operacionin “Piramida”, në kuadër të të cilit është goditur një grup i strukturuar kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe shpërndarjes të drogave të forta. Policia ka vënë në pranga të 12-të trafikantët.

Pesë nga organizatorët e grupit janë arrestuar më parë nga autoritetet policore, në kuadër të dy operacioneve antidrogë të finalizuar më parë “Lapidari” dhe “Pusteci”. Policia bëri me dije se u sekuestuan një armë gjahu, një sasi e dyshuar narkotike kanabis, automjete, celularë dhe sasi në lekë dhe euro.

“Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Korçë dhe Forcat e Posaçme Operacionale, pas një pune intensive hetimore disa mujore, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Piramida”. Si rezultat u bë ndalimi, në bazë të vendimeve të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila caktoi masën e sigurisë ‘Arrest në burg’ për shtatë shtetasit e tjerë”, njofton policia.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore