Lajme

GLSP: Gjykata Komerciale – më shumë dëm se sa dobi


Grupi për Studime Juridike dhe Politike

Hulumtuesja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), Rreze Hoxha, gjatë mbajtjes së tryezës së diskutimi me temën “Themelimi i Gjykatës Komerciale Kosovë”, ka thënë se krijimi i kësaj Gjykate në bazë të vlerësimeve “do të sjellë më shumë dëm se sa dobi”.

Ajo ka thënë se në analizën e propozimit për krijimin e një gjykate të tillë në Kosovë, janë identifikuar tri probleme kryesore.

“Problemi i parë ka qenë periudha e gjatë kohore e nevojshme për të zgjidhur një mosmarrëveshje e cila është mesatarisht tre vjet. Problemi i dytë është cilësia e pakënaqshme e gjykimeve të shqiptuara dhe problemi i tretë ka qenë struktura ekzistuese e gjykatës e cila sipas studimit nuk korrespondon me legjislacionin komercial në zhvillim dhe aktivitetin e biznesit privat”, ka thënë Hoxha.

Në anën tjetër, zëvendëskryetari i parë i komisionit për legjislacion njëherësh edhe deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se qeveria ka gabuar në iniciativën për krijimin e kësaj gjykate, duke sqaruar se LDK është subjekti i vetëm politik që nuk e ka përkrahur krijimin e saj.

“LDK ka qenë partia e vetme që e ka kundërshtuar dokumentin apo projektligjin që na është ofruar. Është e vërtetë që edhe në qeverinë tonë e kemi pasur në programin qeverisës themelimin e kësaj gjykate. Vlerësimi im dhe i grupit parlamentar të LDK-së aktualisht është që kjo mënyrë nuk është zgjidhje për të rregulluar këtë problematikë në Kosovë”, ka thënë Selmanaj.

Siç thekson Selmanaj deri para shtatë vjetëve “Kosova ka pasur një organizim tjetër të sistemit gjyqësor dhe ka pasur shumë kundërshtime në atë kohë që organizimi i atëhershëm nuk ka qenë funksional”.

“Por kemi ardhur në përfundim që duhet të riorganizohet, duhet të rishikohet dhe kemi zgjedhur modalitetin, dhe tani të njëjtit që kanë trumbetuar atëherë nevojën për të ndryshuar sistemin tani të njëjtit po trumbetojnë që gati të kthehemi edhe njëherë në vitin 2013 ose 2011, që i bie se po eksperimentojnë”.

Sipas tij, i vetmi motiv është mos puna.

“Nuk po kryhet puna ashtu siç duhet, dhe këtu mendoj që është bazamenti fillestar i gabimeve ose i qasjes së gabueshme që më pas po del edhe si nevojë për të themeluar diçka të re”, ka thënë Selmanaj duke shtuar se është i bindur që krijimi i gjykatës së re “nuk bën zgjidhjen e problematikës që është aktuale”.

“Pritja ose prolongimi i çështjeve nuk arsyeton vendimin për themelimin e një gjykate të re edhe pse zgjasin 3 deri në 5 vjet”.

Në këtë tryezë diskutimi i pranishëm ishte edhe Visar Morina, profesor në Fakultetin Juridik, i cili ka thënë se ka munguar dhe mungon analiza e duhur për krijimin e kësaj gjykate.

“Duhet të bëhet përpjekje që të definohet juridiksioni i kësaj gjykate komerciale sepse shihet që ka një tendencë të një mbingarkese të juridiksionit të gjykatës komerciale”, ka thënë Morina.

Ndërkaq, Urim Vokshi nga Oda e Avokatëve ka thënë se ka avokat të specializuar për këtë çështje.

“Ka avokatë të specializuar të cilët janë aktiv në Kosovë që ofrojnë shërbime për biznese dhe janë të fokusuar në çështje komerciale, prandaj mendoj që është shumë e rëndësishme edhe perspektiva prej anës së avokatisë apo prej anës së përfaqësimit të palës”.

Tryezë diskutimi me temën “Themelimi i Gjykatës Komerciale Kosovë”

Ndërkohë, më 16 korrik me 66 vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim projekt-ligjin për Gjykatën Komerciale.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka qenë e autorizuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për ta paraqitur këtë projektligj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Ky projekt ligj është i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe tutje që nga viti 2012 ka qenë simbol i reformimit të gjyqësorit, kur ndër të tjerash gjykata ekonomike është shndërruar në Departamentin për Çështje Ekonomike brenda Gjykatës Themelore”, ka thënë Hajdari në shpalosjen e projektligjit.

Hajdari pati bërë të ditur se Gjykata Komerciale do të ketë dy nivele.

“Gjykata Komerciale do të funksionojë në dy nivele, atë Themelore dhe të Apelit me qëllim të zgjidhjes së kontesteve komerciale, por edhe atyre administrative që ndërlidhen me çështjet komerciale”, ka thënë ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore