Lajme

Gjysma e akullnajave do të zhduken deri në vitin 2100


Deri në vitin 2100, gjysma e akullnajave të planetit do të jenë shkrirë edhe nëse njerëzimi i përmbahet qëllimeve të përcaktuara në marrëveshjen e klimës së Parisit.

Të paktën kështu ka rezultuar nga një hulumtim që ka zbuluar se shkalla dhe ndikimet e humbjes së akullnajave janë më të mëdha se sa mendohej më parë.

Dhe se gjysma e asaj humbjeje do të ndodhë në 30 vitet e ardhshme.

Referuar studiuesve, 49 për qind e akullnajave do të zhdukeshin nën skenarin më optimist të ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius.

Megjithatë, nëse ngrohja globale do të vazhdojë nën skenarin aktual prej 2.7 gradë Celsius të ngrohjes, humbjet do të ishin edhe më të rënda, me 68 për qind të akullnajave që do të zhdukeshin.

Kështu, parashikohet që mos të ketë thuajse asnjë akullnajë në Evropën qendrore, Kanadanë perëndimore dhe SHBA deri në fund të shekullit të ardhshëm nëse kjo do të ndodhë.

Çka do të kontribuojë ndjeshëm në ngritjen e nivelit të detit, do të kërcënojë furnizimin me ujë për dy miliardë njerëz dhe do të rrisë rrezikun e kërcënimeve natyrore.

Sakaq, studimi ka shqyrtuar të gjithë akullin e tokës akullnajore me përjashtim të shtresave të akullit të Greenland dhe Antarktidës.

Nëse rritja e temperaturës kufizohet në 1.5 gradë të ngrohjes, nivelet mesatare të detit do të rriteshin me 90 milimetra nga viti 2015 në 2100-ën.

Ndërsa me 2.7 gradë, shkrirja e akullnajave do të çonte në rreth 115 milimetra rritje të nivelit të detit.

Besohet se shkrirja e akullnajave malore kontribuon në më shumë se një të tretën e rritjes së nivelit të detit. Një pjesë e madhe e kësaj humbjeje është e pashmangshme, por madhësia e humbjes lidhet drejtpërdrejt me rritjen e temperaturës, kështu që veprimi është thelbësor.

Ekipi përdori dy dekada të dhëna satelitore për të hartuar akullnajat e planetit me një saktësi më të madhe se kurrë më parë.

Sipas studimit të tyre, shumica e akullnajave që do të humbasin janë të vogla, më pak se një kilometër katror. Edhe pse kontribuojnë më pak në vëllimin e përgjithshëm, ato janë më të ndjeshme ndaj ndryshimeve.

Akullnajat e vogla janë një burim i rëndësishëm uji dhe jetese për miliona njerëz.

Ky nuk është hulumtimi i parë që parashikon rritjen e nivelit të detit nga shkrirja e akullnajave, por parashikimet janë më të sakta se modelet e mëparshme.

Ai pason një studim të vitit 2021 që zbuloi se shpejtësia e shkrirjes së akullnajave ishte dyfishuar në dy dekadat e fundit, duke kontribuar më shumë në ngritjen e nivelit të detit sesa shtresat e akullit të Greenland-it ose Antarktidës.

Marrë nga “The Guardain”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore