Sport

Gjyqtarët kosovarë ndajnë drejtësinë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve


Tani më nuk do të jenë vetëm ekipet kosovare që përfaqësojnë futbollin e Kosovës në ndeshjet ndërkombëtare, sidomos ato të një gare të rëndësishme, siç është Liga e Kampionëve.

Për herë të parë që nga anëtarësimi i Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, gjyqtarët kosovarë do të ndajnë drejtësinë në garën më prestigjioze për klube në Evropë.

Genc Nuza, do të jetë gjyqtari kryesor në ndeshjen e raundit të parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, ndërmjet skuadrës kampione të Kroacisë, Dinamo Zagreb dhe kampionit të Islandës, Valur.

Nuza do të ndihmohet nga asistentët tjerë kosovarë, Fatlum Berisha e Bujar Selimi, si dhe gjyqtari i katërt do të jetë Dardan Çaka, të cilët janë deleguar nga UEFA për të ndarë drejtësinë në këtë ndeshje të rëndësishme.

Ndeshja mes Dinamo Zagreb dhe Valur, do të zhvillohet të mërkurën në stadiumin “Maksimir” të kryeqytetit të Kroacisë.

Derisa kjo do të jetë mundësi e mirë për gjyqtarët kosovarë që ta dëshmojnë profesionalizmin e tyre dhe të avancojnë tutje në garat e rëndësishme ndërkombëtare.

Katërshja kosovare pritet të vëzhgohet nga njëri prej kontrollorëve më të vlerësuar në UEFA, Darko Çeferin, i cili ka qenë kontrollor i gjyqtarëve në tri ndeshje në Euro 2020.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore