Shqipëria

Gjyqësori mban “pezull” mandatin e Belerit, çfarë ndodh tani


Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar çdo kërkesë të Fredi Belerit, që nga ndryshimi i masës te leja për të marrë pjesë në betimin si kryebashkiak i Himarës.

Kjo, pasi akuzohet nga institucionet e drejtësisë për shit-blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit.

Beleri paraqiti lejen në tre institucione në SPAK, Drejtorinë e Burgjeve dhe në GJKKO për të dalë nga paraburgimi për ceremoninë e marrjes së detyrës në Këshillin Bashkiak të qytetit të martën e 27 qershorit në orën 11.00.

GJJKO-ja sqaroi se lejet jepeshin vetëm në raste vdekjesh, martesash apo provimesh.

Pra, me mungesën e sigurt të Belerit në ceremoninë e betimit, çfarë ndodh tani?

Ish-kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume tregoi se Beleri ka marrë mandatin e kryetarit të bashkisë, por për ta ushtruar këtë mandat është e domosdoshme të bëjë betimin.

Sipas tij, për sa kohë nuk do të bëjë betimin në detyrë do të jetë kryebashkiaku aktual Jorgo Goro.

“Përsakohë që nuk do të marrë zgjidhje problemi gjyqësor i Belerit, detyrën e kryetarit do ta ushtrojë Goro. Nuk ka kufizime në kohë, pra nëse betimi  nuk bëhet brenda kaq kohësh ai nuk ushtron detyrën. E kam dëgjuar si argument ligjor që nëse nuk kryen betimin për disa muaj i ndërpritet mandati. Jo!  Nuk jemi në këtë rast”, theksoi ai gjatë një interviste për transmetuesin “Report TV”.

Kume nënvizon se në ligjin për vetëqeverisjen vendore parashikohet një situatë e tillë në ato raste kur kryetari i bashkisë është në detyrën e kryetarit, por në rastin e Belerit ai nuk e ka nisur ende detyrën.

Ish-kryekomisioneri sqaron se Goro do të vijojë të jetë në detyrë derisa të zgjidhjet problemi me drejtësinë i Belerit.

“Vetëm pasi të vendosë gjyqësori çfarëdo të ndodhë me Beleri nisin e ndryshojnë gjërat”, ravijëzoi ai.

Diplomacia greke reagoi të hënën e 26 qershorit ndaj vendimit të GJKKO-s duke shkruar se “ky refuzim dëshmon, pa asnjë dyshim, se synimi i autoriteteve shqiptare është t’i heqin atij, pa një dënim të formës së prerë dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e rajonit”.

“Shqipëria, si kandidate për anëtarësim në familjen evropiane, duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe prezumimin e pafajësisë”, përsëritën sërish kërkesën e tyre MPJ-ja greke.

Beleri kërkoi më herët masë më të butë sesa ‘arresti në burg’.

Më parë, ai ka kërkuar nga Gjykata e Posaçme e Apelit, të marrë vendim për të shpallur si të paligjshme përgjimet që i janë bërë atij në vende private dhe që çuan më pas edhe në arrestimin e Belerit.

Sipas avokatëve të Belerit, vendimi që angazhoi grupet operacionale për përgjimin e tij nuk ka datë dhe orë të fillimit dhe mbarimit të veprimit, ashtu sikurse as kërkesa për vleftësimin e tyre, duke e bërë atë të paligjshëm.

Ndaj, kërkohet shpallja e paligjshme e tyre.

Gjykata e Posaçme, më 1 qershor, e la në fuqi vendimin e Gjykatës së Vlorës, e cila i ngarkoi masën me burg Belerit, teksa një bashkëpunëtori të tijit, Pandeli Kokoveshit, i ngarkoi masën e detyrimit të paraqitjes.

Gjatë seancës, avokatët kanë depozituar edhe prova të reja përsa i përket gjendjes shëndetësore të dy personave të dyshuar.

Kokaveshi përveç raporteve mjekësore kërkoi ndryshim mase edhe për shkak të fëmijës së mitur.

Ndërsa avokatët e Fredi Beleri insistojnë që nuk ka prova për “krimin” e klientit të tij.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e zhvilluar më 25 maj, ka certifikuar rezultatin, ku i jep mandatin edhe kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Belerit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore