Gjykata Speciale

“Gjykimi Special” – 15 dëshmitarë, shqiptarë, serbë, komandantë e viktima të pretenduara – si shkoi gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së për katër muaj?


Mes akuzave të Zyrës së Prokurorit të Specializuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “ka pasur qëllime kriminale dhe ka ndjekur politikë të shenjëstrimit të kundërshtarëve” dhe revanshit të avokatëve mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së duke sfiduar organin e akuzës që të gjejë prova se Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi kanë dhënë urdhra është ndërprerë gjykimi në Gjykatën Speciale deri më 15 gusht.

Nga 312 dëshmitarë, 15 prej tyre, shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-komandantë të UÇK-së dhe viktima të pretenduara të krimeve të luftës, kanë dhënë dëshmitë e tyre në gjykatore, kryesisht në seanca të mbyllura për publikun ose me zë të deformuar.

Për avokatin e licencuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, Artan Qerkinin, gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së duhet të jetë më i shpejtë, meqë të akuzuarit po mbahen në paraburgim qe gati katër vjet.

“Konsideroj se gjykimi ndaj Thaçit e të tjerëve duhet të jetë shumë më i shpejtë, sepse të pandehurit ndodhen të privuar nga liria. Sipas kornizës ligjore të Dhomave te Specializuara në rastet me paraburgim procedura duhet të zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar”, tha Qerkini për Albanian Post.

Vonesa në gjykim sipas Qerkinit, do ketë edhe për shkak të numrit të madh të dëshmitarëve të ftuar nga Specialja.

“Po ndikon në masë të madhe në mënyrë negative në përshpejtimin e procedurës”, shpjegon ai.

Në anën tjetër, avokatja tjetër, Albulena Ukmeri, mendon se mbyllja e seancave për publikun mund të dëmtojnë legjitimitetin e gjykatës në sytë e publikut në Kosovë.

“Gjykata duhet të ndërmarrë veprime për mbrojtjen e dëshmitarëve, por në të njëjtën kohë duhet të sigurohet se po respektohet edhe parimi i publicitetit, duke u munduar të reduktojë numrin e seancave të mbyllura, duke pasur parasysh se ky proces gjyqësor, është njëri ndër më të rëndësishmit dhe qytetarët duhet të informohen lidhur me të njëjtin dhe të binden se para kësaj Gjykate po zhvillohen procese të drejta, të pavarura dhe paanshme”, theksoi ajo për AP.

Ukimeri është e bindur që gjykimi nuk do të ketë epilog të shpejtë, pasi vetëm paraqitja e çështjes nga Prokuroria do të zgjasë deri në prill të vitit 2025.

“Më pas pasohet me paraqitjen e çështjes së mbrojtjes, tërheqjen e trupit gjykues për këshillim e votim, marrjen e vendimit të trupit gjykues dhe sigurisht pavarësisht vendimit që do të merret, njëra palë do të apelojë aktgjykimin nëse nuk është e kënaqur, për çfarë do t’i nënshtrohet rasti shqyrtimit edhe në Gjykatën e Apelit, e cila gjykatë mund ta vërtetoj vendimin e shkallës së parë, t’a ndryshojë apo kthej rastin në rigjykim”, ka shpjeguar avokatja.

“Njëherit, duhet marrë për bazë faktin se palët kanë në dispozicion edhe mjetet e jashtëzakonshme juridike, të cilat i parashtrojnë në  Gjykatën Supreme”.

Për ankesat dhe vërejtjet në punën e Speciales dhe vonesat për fillimin e gjykimit, ajo potencon mund të adresohen tek shtetet e Bashkimit Evropian që e financojnë këtë gjykatë.

“Pa dyshim, se të gjitha vërejtjet dhe ankesat lidhur me funksionimin e kësaj gjykate, mund të paraqiten tek shtetet, të cilat financojnë të njëjtën, ku Këshilli i BE-së, në takimet e rregullta që kanë me përfaqësues të gjykatës, mund të adresojnë të njëjtat dhe kërkojnë llogaridhënie”.

Edhe Amer Alija, hulumtues ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, është në një linjë me avokaten Ukmeri, teksa thotë se trupi gjykues duhet të kujdeset që të mos mbyllen në tërësi seancat për publikun.

Sipas tij, kjo praktikë mund ta dëmtojë legjitimitetin e gjykatës, që edhe ashtu nuk gëzon popullaritet në Kosovë.

“Është e vërtetë se në këtë rast është një numër i dëshmitarëve anonim, por trupi gjykues duhet të kujdeset që informatat të cilat lidhen me identitetin e këtyre dëshmitarëve të mos transmetohen për publikun kurse pjesa tjetër e deklaratës e cila nuk ka të bëjë me identitetin duhet ndahet me publikun, pasi që publiku ka interesim të madh për këto procese dhe ka të drejtë në krijimin e një vlerësimi objektiv me rastin e shpalljes së vendimit përfundimtar”, tha Alija për Albanian Post.

Por, ai refuzon të përgjigjet kur pyetet për “provat e Prokurorisë’ për ndëshkimin eventual të ish-krerëve të UÇK-së në bazë të dëshmive të deritashme, teksa ankohet se si monitorues nuk ka qasje në lëndët e organit të akuzës.

“Sigurisht që sa i përket provave të besueshme ose jo për këtë do të vendos gjykata, dhe ne si monitorues të jashtëm të këtyre proceseve nuk kemi qasje në shkresat e lëndës, përpos atyre dokumenteve të cilat ndahen me publikun”.

Shfajësimi i krerëve të UÇK-së sipas raportit të CIA-s

Në një raport të CIA-së të cilin e kishte publikuar Albanian Post vitin e kaluar, shfajësoheshin ish-krerët e UÇK-së nga akuzuat të cilat rëndojnë mbi ta.

Ky dokument, por edhe shumë të tjerë janë publikuar në një dokumentar të prodhuar nga Albanian Post.

Dokumentari kishte zbuluar se si Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka mbajtur dokumente të fshehta ndaj trupit gjykues, të cilat përbëjnë prova shfajësuese ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Si ia dorëzoi Serbia Dick Marty-t në Banhof të Zvicrës dosjet kundër UÇK-së?

Për çka po akuzohen Thaçi dhe të tjerët?

Ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës fillestare, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë.

Më 10 maj, Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas versionit të ndryshuar të aktakuzës, në fshatrat Budakovë dhe Semetishtë të Suharekës, dyshohet që ndërmjet 4 qershorit 1998 dhe shtatorit 1998, të paktën 12 persona janë ndaluar në qendra ndalimi.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se në fund në fund të qershorit dhe fillim të korrikut të vitit 1999,pjesëtarë të UÇK-së ndaluan “të paktën tre persona pa proces të rregullt ligjor në një seli të UÇK-së, të vendosur në ndërtesën e një ish-shkolle dhe konvikti në Gjilan”.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore