Lajme

Gjykata Speciale s’është hiç e Kosovës, thotë Konjufca


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se mënyra si po funksion Gjykata Speciale karakterizohet me defekte të shumta.

Sipas tij, prokuroria si organ i ndjekjes e ka bërë një aktakuzë, e cila nuk niset nga principi individual i krimeve të supozuara.

“Pra, unë isha atje dhe prej një vështrimi e kam krijuar përshtypjen si është e Kosovës ajo gjykatë, ajo nuk është hiç e Kosovës. Si është e Kosovës, në çfarë mënyre është e lidhur me vullnetin e popullit”, tha Konjufca në ATV.

Prandaj, ai ka theksuar se “duhet të ketë mekanizma të llogaridhënies, ose të drejtësisë”.

“Problemi është që ka defekte elementare brenda gjitha shkallëve. Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të kërkohen gjithmonë, jo bërë ta zhbërë këtë gjykatë, nuk e thonë as ata vet që janë të akuzuar, këtë gjykatë vetëm ta bëjmë më funksionale”, shtoi ai.

Kreu i Kuvendit ka potencuar se ka indikacione që procesi nuk është i ndershëm.

“Kur e lexon njeriu aktakuzën ku thuhet se armiqtë e UÇK-së kanë qenë katolikët, mua më duket skandaloze dhe që është kundër Kosovës”.

“Të gjithë e dinë karakterin e luftës së UÇK-së”.

“Shteti i Kosovës nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj pretendimeve të tilla, ne nuk duhet ta lozim spektatorin e sjellshëm. Këto pretendime i kam përjetuar si ofendim”.

Konjufca ka potencuar se “nuk duhet ta mbyllim gojën nëse aktakuza është kaq skandaloze”.

“Për LVV-në UÇK-ja është organizmi më i rëndësishëm e cila ka mishëruar qëllimin historik dhe më fisnik për çlirimin e Kosovës, ky është qëndrimi i LVV-së për ushtrinë, për këtë e kemi kundërshtuar themelimin e Gjykatës Speciale”.

Kur ka folur për protestat e veteranëve për pagën minimale, ai ka shtuar se disa persona nga politika,”jo zyrtarë të veteranëve, por të Qeverisë dhe Parlamentit kanë qenë eksponentët të shitblerjes të statusit të veteranit”.

“Edhe udhëheqësit e veteranëve e pranojnë këtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore