Shqipëria

Gjykata e Kukësit denon me gjashtë vjet burg këngëtaren Fjolla Morina


Këngëtarja e njohur kosovare, Fjolla Morina, është dënuar me gjashtë vjet burgim nga Gjykata e Kukësit.

Morina akuzohet për trafikim të armëve, ndërsa avokatja e saj, Aurora Guska, tha se do të ankohet ndaj këtij vendimi të gjykatës.

Tutje, Guska, theksoi se Morina, ka pasur në çantë vetëm një armë dhe atë aksidentalisht.

“Vendimin e gjykatës do ta ankimojmë. Ka pasur vetëm një armë, e ka pasur pa dashje, aksidentalisht në çantën e saj”, raporton abcnews.al, transmeton Albanian Post.

Artistja, Fjolla Morina, u arrestua më 19 shtator të vitit të kaluar në pikën kufitare të Morinës, dhe brenda makinës asaj iu gjetën dy armë zjarri.

Bashkë me Fjollën, me të ishte edhe i dashuri i saj, Fisnik Syla, si dhe shoferi.

Fjolla Morina u arratis më 20 janar pasi Gjykata e Kukësit, vendosi ndaj këngëtares vazhdimin e arrestit shtëpiak.

Apartamenti ku Morina qëndronte me qira ishte në qytetin e Kukësit, dhe ndërsa policia shkoi për kontroll, nuk e gjetën atë në banesë me ç ‘rast nisën hetimet.

Ndryshe, këngëtarja, pak ditë më parë i dha fund beqarisë, duke pranuar propozimin romantik të partnerit të saj në Maldive, ku edhe zhvilluan një ceremoni martesore që bëri bujë në shtypin rozë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore