Shqipëria

GJKKO pranon kërkesën për pushimin e hetimit ndaj Llallës


Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO), të mërkurën e 16 shkurtit, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për pushimin e hetimit ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, për fshehje të pasurisë.

SPAK, një ditë më parë, ka kërkuar pushimin e hetimeve ndaj Llallës.

Kjo me argumentin se ai është gjykuar edhe më parë për këtë vepër penale.

Llalla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej muajit shtator, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me dy vite burg.

Ai është dënuar për veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

“Falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë”, mbyllet njoftimi i Policisë shqiptare.

Akuzat ndaj Llallës

Do të ishte Prokuroria e Durrësit, ajo që do të regjistronte procedimin e parë penal për ish-kryeprokurorin Llalla.

Në mars të 2018-ës, mbi të do të rëndonin katër akuza.

E para ishte ajo e pastrimit të produkteve të veprës penale, më pas e shpërdorimit të detyrës, mosdeklarimit të të ardhurave, si dhe mosdeklarimit të shumave të të hollave në kufi.

Më pas, u kalua për kompetencë tek ish-Krimet e Rënda dhe SPAK.

Ai u akuzua nga SPAK-u për “fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë”.

Ish-prokurori u gjykua për veprën penale të fshehjes sё pasurisё. Ndërkohë, ishte vendosur dhe njё hetim pёr pastrimin e parave.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme vendosi për sekuestrimin e pesë pasurive të paluajtshme të ish-kryeprokurorit.

Ky vendim erdhi pas një kërkese të SPAK-ut.

Në përfundim të hetimit, SPAK vlerësoi se, ndaj tij, provohej vetëm akuza e “mosdeklarimit të pasurisë”.

Pasi përfundoi mandatin e kryeprokurorit, Llalla dha dorëheqjen nga sistemi dhe nuk iu nënshtrua vetting-ut.

Ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit e shpalli atë persona non grata, duke i ndaluar atij dhe familjes hyrjen në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore