Kosova

Gjithçka që tha Kurti në Seancën e rrëfimit


Albin Kurti

5 ditë pas pranimit të planit të zbatimit të Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, kryeministri Albin Kurti, është ftuar të raportojë në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës pikërisht për takimin e 18 marsit ku ishte negociuar Aneksi i Marrëveshjes.

Shefi i Qeverisë ndonëse një ditë më parë në një intervistë për televizionin publik, RTK, ka pranuar se Marrëveshja e arritur, e cila është derivat i propozimit franko-gjerman, parasheh formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të njëjtën konfirmim e ka bërë edhe gjatë fjalimit të tij të gjatë përpara ligjvënësve kosovarë.

Neni 10 i Marrëveshjes, e cila parasheh zbatimin e të gjitha ujdive paraprake të dala nga dialogu, sipas Kurtit, gjendet aty për shkak se Kosova ka obligime ligjore, obligime të cilat sipas ndërkombëtareve nuk mund të “përdhosen” edhe kur ndryshojnë qeveritë.

“Kosova i ka obligimet e veta ligjore. Unë i kam kundërshtuar disa nga marrëveshjet në të kaluarën dhe vazhdojë të punojë për rezultat më të mirë. Por, aleatët tanë na kujtojnë se marrëveshjet janë arritur në emër të shteteve tona me detyrime edhe kur qeveritë ndryshojnë”, pohoi Kurti, fillimisht.

Kosova, sipas Kurtit, nuk mund t’i shmang detyrimet nga traktatet ndërkombëtare, pasi në të kundërtën ajo do të trajtohet si shtet joserioz në sytë e ndërkombëtareve.

Edhe pse Marrëveshja përveç se parasheh formimin e Asociacionit, neni 7 i kësaj Ujdie flet edhe për një sigurim të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, sipas Kurtit Kosova në këtë fazë “nuk ka mundur të sigurojë një tekst më të mirë të Marrëveshjes”.

Megjithatë ai ka garantuar se neni 7 dhe neni 10 e kësaj marrëveshjeje në asnjë mënyrë nuk do ta rëndojë Kosovën me kurrfarë shtrese tjetër të autoriteti i cili mund të ketë kompetenca ekzekutive.

“Ne çdo gjë do ta konsiderojmë nga prizma e Kushtetutës sonë”, ka pohuar më tej ai.

Duke komentuar frazën vetë-menaxhim, i pari i qeverisë, ka bërë të qartë se në sytë e tij fraza në fjalë nuk do të thotë as vetëvendosje e as vetëqeverisje për serbët e Kosovës.

Kur ka folur për Modelet Evropiane për Asociacionin të cilat i janë propozuar atij nga i deleguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, Kurti ka precizuar se assesi “nuk do ta konsiderojë asnjë model të autonomisë territoriale”, ani pse marrëveshjet e mëhershme janë mbështetur në territorialitet.

“Ne jemi të hapur për të kërkuar frymëzim nga shembuj evropian. Territorialiteti ka qenë thelbi i gabuar, që nuk guxojmë ta përsërisim. Tani duhet të kalojmë bashkërisht nga standardet e Daçiç’it e Vuçiç’it në ato të Këshillit të Evropës të bazuar në qytetarit. Qytetari është thelbi jo territori”, ka shtuar ai.

Kurti, gjatë rrëfimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përveç frazës së vetë-menaxhimit ka komentuar edhe çështjen e formalizmit të statusit të Kishës Ortodokse Serbe, i cili gjithashtu është pjesë përbërëse e nenit 7.

Ai me këtë rast ka ftuar udhëheqjen e Kishës Ortodokse Serbe që të bisedojnë për statusin.

“Nuk kam arsye ta shmangë dialogun me krerët e Kishës serbe. Nuk do të hyjë në dialog me qeverinë serbe për këtë. E ftoj udhëheqjen e Kishës serbe të angazhohet me ne dhe me mirëbesim të diskutojmë si duhet zbatuar marrëveshja, ku obligimet ligjore duhen zbatuar me frymën e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”,

Ai ka folur edhe për të mirat që Kosovës i vijën nga marrëveshja e 27 shkurtit që, sipas Kurtit, përbën njohjen de facto.

Sipas tij në planin afatgjatë, Kosova me Marrëveshjen do të përfitojë më shumë sesa Serbia.

“Serbia ka pranuar ta trajtojë Kosovën si anëtare të barabartë në bashkësinë ndërkombëtare”, tha Kurti duke shtuar se “Serbia nuk mund të pretendojë se përfaqëson shtetin tonë, ajo e ka pranuar këtë rregull sjellje, ne të dy do të duhej të jemi të përkushtuar të zhvillojmë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë. Serbia duhet të mos kundërshtojë më anëtarësimin tonë në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

“Do të shkëmbejmë edhe misione të përhershme, në thelb ambasadat. Serbia i ka pranuar këto më sipër, kjo natyrisht se është njohje de facto dhe me status të pakthyer tashmë sepse BE është garantor. Të gjitha këto detyrime tashmë janë në fuqi. Ekziston edhe mekanizimi detyrues për shtetin që i zbaton. Duke qenë se nuk ka shkallë të duhur të besimit, ka shkallë të lartë të mos besimit. Zbatimi duhet të bëhet me shkallë të përbashkët, të dyja palët hap pas hapi. S’mund të ketë zbatim të njëanshëm”.

Më 18 mars në Ohër, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e raporteve sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, atë nuk e nënshkruan zyrtarisht. Në fakt, kryeministri Albin Kurti ka qenë i gatshëm të nënshkruaj, por presidenti serb ka refuzuar.

Kurti dhe Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore