Lajme

Gjigandi rus i gazit fiton 45 milionë euro nga fusha në Detin e Veriut


Gjigandi rus i energjisë Gazprom ka fituar 45 milionë euro nga fusha e tij e gazit në Detin e Veriut vitin e kaluar.

Gazprom ka prodhuar gaz nga fusha Sillimanite, e cila është e përhapur në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës, që nga viti 2020.

Ed Davey, kreu i Liberal Demokratëve, ka thënë se ishte “krejtësisht e papranueshme” që gazi nga territori i Mbretërisë së Bashkuar po mbështeste “luftën e paligjshme të Putinit kundër Ukrainës”.

Sakaq, qeveria ka thënë se do të “rrisë presionin ekonomik” ndaj Rusisë.

Fusha Sillimanite, e cila është 200 kilometra nga bregu holandez, operohet në një sipërmarrje të përbashkët midis firmës ruse Gazprom dhe kompanisë gjermane Wintershall.

Teksa nuk ka asnjë sugjerim që marrëveshja është e paligjshme, Britania e Madhe, SHBA dhe BE kanë futur sanksione të ashpra ekonomike të krijuara për të kufizuar aftësinë e Rusisë për të përfituar nga eksportet e energjisë, me qëllim kufizimin e aftësisë së saj për të financuar luftën e saj në Ukrainë.

Një numër i drejtuesve të Gazprom, duke përfshirë shefin ekzekutiv Alexei Miller, janë nën sanksione nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, megjithëse vetë Gazprom nuk është.

Kompania ende furnizon me gaz Evropën kontinentale nëpërmjet tubacioneve, megjithëse vëllimet janë reduktuar shumë që nga fillimi i luftës.

Llogaritë tregojnë se Gazprom International UK, një degë e gjigantit energjetik të Rusisë, realizoi një fitim para taksave prej 45 milionë euro në vitin 2022 dhe i pagoi një dividend prej 41 milionë eurosh Gazprom International Projects BV, pronari i menjëhershëm i kompanisë në Holandë.

Një dividend tjetër prej 1.7 milionë eurosh është paguar në qershor të këtij viti.

Pronari përfundimtar i kompanisë është PJSC Gazprom, me seli në Moskë.

Gazprom është në pronësi të shumicës nga shteti rus dhe është taksapaguesi më i madh i vendit, duke kontribuar 80 miliardë dollarë për qeverinë ruse.

Gjithashtu ka rekrutuar dhe financuar milicitë e saj që kanë luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.

Një zëdhënës i qeverisë ka thënë se do të “vazhdojë të punojë së bashku me partnerët tanë për t’i mohuar Rusisë qasjen në ndonjë nga mallrat apo teknologjitë tona që ajo mund të përdorë në makinën e saj të luftës, duke kufizuar aftësinë e Rusisë për të luftuar një luftë të shekullit të XXI-të”.

“Putini dhe mbështetësit e tij duhet – dhe do – të paguajnë çmimin për pushtimin e tyre të paligjshëm të Ukrainës”.

Fatura totale e taksave e kompanisë ishte 29 milionë euro, e ndarë midis qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Holandës.

Kjo përfshin 4 milionë euro nën taksën e papritur të Mbretërisë së Bashkuar të vendosur ndaj kompanive të energjisë pasi çmimet u rritën pas luftës në Ukrainë dhe 5 milionë euro nën ekuivalentin holandez.

Ndërkaq, të gjitha të ardhurat e Gazprom International UK janë nga shitjet jashtë MB-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore