Lajme

Gjermania “shqyrton” kërkesën e Sveçlës për pasaporta të skaduara


Foto nga Albanian Post

Qeveria Federale e Gjermanisë, është duke shqyrtuar kërkesën e cila është bërë nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, për të lejuar qarkullimin e shtetasve kosovarë me pasaporta të skaduara.

Kështu ka bërë të ditur Ambasada e Gjermanisë në Kosovë për Radio Evropën e Lirë.

“Kërkesa aktualisht është duke u shqyrtuar nga Ministria Federale e Brendshme”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Të njëjtit kanë thënë se kërkesa e Sveçlës është e kufizuar.

Pasaporta në Kosovë.

“Në lejimin e rihyrjes në Gjermani për shtetasit kosovarë që jetojnë në Gjermani me leje qëndrimi të vlefshme, dhe foshnjat me shtetësi kosovare që kanë lindur në Gjermani dhe ende nuk u është lëshuar pasaporta e Kosovës”.

Kosova ka mbetur pa mundësinë e emetimit të pasaportave të reja për shtetasit e vet, por gjërat do ndryshojnë për mirë në fund të këtij muaji.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës në një përgjigje për Albanian Post kishte thënë se “në fund të janarit pritet të fillojë furnizimin me material”.

Nga MBP kanë shprehur, “keqardhje për situatën e krijuar” dhe gjithashtu kanë kërkuar “mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”.

Se Kosova mbeti pa materiale për punimin e pasaportave të reja u njoftua nga vetë ministri, Xhelal Sveçla.

Veç kritikave për këtë mungesë, Sveçla u kritikua shumë edhe për këtë kërkesë jo të zakonshme të tij drejtuar shteteve si Gjermania, kur u kërkoi t’u mundësohet kosovarëve të udhëtojnë drejt atij shteti edhe me pasaporta të skaduara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore