Lajme

MPB për Albanian Post: Në fund të janarit pajisemi me materiale për pasaporta


Foto nga Albanian Post

Kosova ka mbetur pa mundësinë e emetimit të pasaportave të reja për shtetasit e vet, por gjërat do ndryshojnë për mirë në fund të këtij muaji.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës në një përgjigje për Albanian Post thotë se “në fund të janarit pritet të fillojë furnizimin me material”.

Nga MBP kanë shprehur “keqardhje për situatën e krijuar” dhe gjithashtu kanë kërkuar “mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, deri në zgjidhjen e kësaj çështje”.

Se Kosova mbeti pa materiale për punimin e pasaportave të reja u njoftua nga vetë ministri, Xhelal Sveçla.

Veç kritikave për këtë mungesë, Sveçla u kritikua shumë edhe për një kërkesë jo të zakonshme të tij drejtuar shteteve si Gjermania, kur u kërkoi t’u mundësohet kosovarëve të udhëtojnë drejt atij shteti edhe me pasaporta të skaduara.

Ish-zëvendës ministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, tha për Albanian Post se ishte habitur kur ka dëgjuar për kërkesën e pazakontë të ministrit.

“Kjo kërkesë së pari është e paligjshme dhe së dyti ministri kërkon diçka që është e pamundur, ligjërisht jo e zbatueshme dhe në fund e papërgjegjshme”, deklaroi Zeka.

Në përvojën e Zekës kjo situatë s’kishte pse të vinte, sepse “Ministra punon në bazë të planifikimit vjetor” dhe planifikme të tilla do duhej të bëheshin.

“Të thuash ka ndikuar lufta në Ukrainë për mos pasjen e materialeve për pasaporta dhe dokumente tjera apo zgjidhjen e këtij problemi, besoni që këtu edhe përfundon debati. Nuk ke çka shton. Shteti të kërkojë paligjshmëri, kjo ndodh vetëm me ata që nuk dinë abc-në e funksionimit të shtetit ligjor”.

Aq e rëndë ishte kjo deklaratë për Zekën saqë Sveçla “do të duhet të shkojë në shtëpi”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore