Lajme

Gjermania kërkon të blejë 30 milionë doza Sputnik V nga Rusia


Gjermania është në bisedime me Rusinë për të blerë 30 milionë doza të vaksinës coronavirus Sputnik V sapo të miratohet nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), tha të enjten e 22 prillit kryeministri i shtetit të Saksonisë Michael Kretschmer.

“Gjermania po negocion 3 herë 10 milionë doza për qershor, korrik, gusht. Parakushti për këtë është miratimi i shpejtë i vaksinës nga EMA”, shkroi Kretschmer në Twitter.

Kretschmer postoi tweet-in pasi u takua me ministrin rus të Shëndetësisë Mikhail Murashko si pjesë e një vizite në Moskë me aludimin e përqëndrimit në marrëdhëniet kulturore me Rusinë.

Gjermania ndezi polemika në fillim të prillit kur pohoi se kishte filluar bisedimet me Rusinë në lidhje me blerjen e dozave të vaksinës Sputnik pa pritur për veprime të koordinuara të BE-së.

Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se ekonomia më e madhe e Evropës po kërkonte një “angazhim të detyrueshëm mbi të cilin dozat mund të arrinin në Gjermani specifikisht pas miratimit të rregullatorit”.

Negociatat vijnë ndërsa të dy vendet janë në mosmarrëveshje për disa çështje, përfshirë sulmet e përsëritura ruse kibernetike kundër Perëndimit, trajtimin e Kremlinit ndaj liderit të opozitës Alexei Navalny dhe përshkallëzimin e tensioneve në kufirin e Ukrainës.

Gjermania deri më tani ka koordinuar blerjen e vaksinave me BE-në.

Që kur inokulimet filluan në fund të dhjetorit, Gjermania ka marrë vaksina të prodhuara nga Pfizer-BioNTech, AstraZeneca dhe Moderna.

Shteti jugor i Bavarisë dhe shteti lindor i Mecklenburg-Pomeranisë Perëndimore kanë njoftuar tashmë planet për të porositur paraprakisht dozat e Sputnik-ut.

EMA ka nisur një rishikim 360 gradë të vaksinës Sputnik, e cila mund të bëhet vaksina e parë jo-perëndimore e coronavirusit e aprovuar për përdorim në bllokun e 27 vendeve.

Përshtatur nga AFP për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore