Lajme

Gjendet trupi i pajetë i një gruaje në Ibër


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se është gjetur trupi i pajetë i një 49-vjeçare këtë të premte gjatë ditës në lumin Ibër.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Sveçla ka thënë se bëhet fjalë për qytetaren J.Petroviç, e cila dyshohet se kishte rënë para dy ditësh në lumin Ibër.

“Shoqata e Kosovës për kërkim dhe shpëtim, zhytësit e klubit “Trepça”, Policia e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent dhe banorët e fshatit Zhitkovc të Komunës së Zveçanit, kanë arritur të gjejnë sot trupin e pajetë të qytetares J.Petrovic, 49 vjeçare, e cila dyshohet se kishte rënë para dy ditësh në lumin Ibër”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Ndërkaq, ai i shprehu ngushëllime familjes Petroviç për humbjen e familjares së tyre.

“Po ashtu, falënderoj të gjitha ekipet dhe qytetarët e angazhuar për bashkëpunimin e kontributin e pandalshëm të tyre në gjetjen e të zhdukurës”.

Tutje, ministri Sveçla potencoi se “institucionet tona profesionale do të vazhdojnë me procedurat e mëtutjeshme të këtij rasti”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore