Kosova

Gjashtë subjekte politike kanë aplikuar për zgjedhjet në Veri


Foto: Albanian Post.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se janë gjashtë subjekte politike, të cilat kanë paraqitur aplikimet e tyre për pjesëmarrje në zgjedhjet për kryetar të katër komunave në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbahen me 18 dhjetor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka treguar partitë politike të cilat do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë.

“Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave. Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srba) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit”.

“Është edhe një kandidat i pavarur, derisa Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim në zgjedhjet për kryetarët e katër komunave. Kurse Iniciativa qytetare ‘Mbijetesa Serbe’ (Srpski Opstanak) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut”, ka thënë Elezi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ai tutje ka sqaruar procedurën pas pranimit të aplikacioneve, ku pritet që KQZ-ja t’u drejtohet institucioneve përkatëse kompetente të vendit për të verifikuar kandidatët nëse ata janë në përputhje me Ligjin për Zgjedhje të Përgjithshme.

Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar të dielën e 25 dhjetorit si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit.

Të dielën e gjashtë nëntorit, katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan kishin dhënë dorëheqje.

Sipas Kushtetutës, Kosova pas dorëheqjes së tyre duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

E gjithë kjo situatë erdhi pasi serbët vendosën që të braktisin institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia më 23 nëntor në Bruksel kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Shpallja e zgjedhjeve në Veri – Gabimi i Vjosa Osmanit që mund të kushtojë mbi 500 mijë euro?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore