Kosova

Osmani cakton 25 dhjetorin për zgjedhjet e Kuvendit Komunal në Zveçan e Leposaviq


Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar të dielën e 25 dhjetorit si ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit.

Kështu të paktën thuhet në njoftimin e presidencës.

“Pas Vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpërndarjen e Kuvendeve Komunale në Zveçan dhe Leposaviq, pas konsultimit me partitë politike dhe duke pasur parasysh që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të ketë kohë të mjaftueshme për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me afatet dhe detyrimet ligjore, caktoi 25 dhjetorin, datë të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe atë të Leposaviqit”, thuhet në njoftim.

Osmani ka ftuar subjektet politike për fushatë të qetë, pa tensione, duke respektuar Kodin Elektoral dhe rivalët politikë.

Komisioni Qendror Zgjedhor në Kosovë, kishte dhënë afat 4 ditë shtesë subjekteve politike dhe kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat me shumicë serbe në Veri të Kosovës, që do të mbahen më 18 dhjetor.

Afati fillestar për procesin e aplikimit ishte caktuar deri më 21 nëntor, por i njëjti ishte shtyrë deri më 25 nëntor pasi për këto zgjedhje KQZ-ja kishte pranuar vetëm dy aplikime për certifikim – nga Partia Demokratike e Kosovës për të katër komunat dhe nga iniciativa Qytetare Mitrovica për zgjedhjet në Mitrovicë të Veriut.

Partitë serbe në Kosovë fillimisht kishin deklaruar se për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetarë të katër komunave me shumicë serbe në Veri të Kosovës, të shpallura nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ekzistojnë as kushtet elementare në terren dhe për këtë arsye të njëjtit kishin refuzuar të participojnë në këtë proces demokratik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore