Kosova

Shpallja e zgjedhjeve në Veri – Gabimi i Vjosa Osmanit që mund të kushtojë mbi 500 mijë euro?


Foto nga Albanian Post

556 mijë e 482 euro janë ndarë për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të komunave veriore.

Të gjitha mund të shpenzohen dhe prapë gjendja do të mbetet e njëjtë, sepse zgjedhje vështirë se do të ketë.

Përveç Listës Serbe që e ka qëndrim zyrtar se nuk merr pjesë në zgjedhje, pothuajse asnjë nga partitë tjera nuk e ka ndërmend të garojë. As ato që i bëjnë opozitë në veri Listës Serbe.

Kështu i kanë thënë Albanian Postit politikanë dhe analistë serbë nga Kosova, të cilët potencojnë se nuk është momentumi i duhur që të shkohet në kuti votimi.

Aleksandar Arsenijeviç, themelues i iniciativës qytetare “Mbijetesa Serbe” në Mitrovicën Veriore, thotë për AP se beson që nuk ka mundësi që zgjedhjet të mbahen më 18 dhjetor.

“Atmosfera është e tillë që nuk do të kishte kuptim të merrnim pjesë në ato zgjedhje. Nuk besojmë se do të marrin pjesë partitë serbe sepse nuk ka kushte elementare, vend për votim, stacion policor, prokurori dhe njerëz që do të sigurojnë të gjithë procesin”, theksoi Arsenijeviç.

Ai konsideron që vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit për caktimin e datës së zgjedhjeve në Veri, “ishte i nxituar”.

“Nuk ka kuptim që gjithçka të kryhet në një periudhë kaq të shkurtër kohore dhe të relaksohet situata e tensionuar”.

Në një linjë me Arsenijeviç-in, është edhe politologu serb nga veriu, Ognjen Gogiç. Ky fundit mendon se “banorët vendas nuk do të jenë të gatshëm të votojnë”.

“Edhe ata që janë të interesuar të votojnë ndoshta do të jenë nën presion për të mos e bërë këtë. Vetëm shqiptarët dhe boshnjakët mund të marrin pjesë në zgjedhje”, pohon Gogiç.

Madje, ai thekson se është gjithashtu e diskutueshme nëse do të jetë e mundur të organizohen zgjedhje nga ana logjistike, pasi ngre alarmimin se “mund të shfaqen edhe probleme tjera”.

“Serbët ndoshta nuk do të lejojnë që shkollat dhe ndërtesat e tjera të përdoren për zgjedhje. Sapo të formohen organet e reja komunale, ato do të kenë probleme me legjitimitetin. Serbët nuk do t’i pranojnë ato institucione si legjitime dhe nuk do t’i pranojnë vendimet e tyre”, shtoi ai.

Për politikanen nga Graçanica dhe ish-deputeten e Kuvendit të Kosovës, Rada Trakoviç-in, serbët e veriut “janë të frikësuar nga Milan Radojiçiç-i” i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç.

“Nuk ka të drejtë të zgjedhë populli, ata janë krejtësisht të frikësuar, veprojnë të pafuqishëm, ju kërcënohet prona dhe jeta, zgjedhja e tyre është të bëjnë atë që u thonë të mbijetojnë duke pritur të bjerë maja e kartelit në Beograd”, tha Trajkoviç për Albanian Post.

Ajo shtoi se meqë Lista Serbe ka vendos të mos marr pjesë në zgjedhje, “kam frikë se do të kërcënohen ata që guxojnë të dalin të votojnë”.

Çfarë ndodh nëse asnjë parti nuk merr pjesë në zgjedhje?

Juristi Mentor Beqiri, në një bisedë për Albanian Post, shpjegon se në rastet kur në një komunë të caktuar, shumica e subjekteve politike nuk marrin pjesë në zgjedhje, atëherë në garë mbeten vetëm subjektet politikë që kanë garuar.

Por, nëse asnjë parti nuk merr pjesë, sipas Beqirit, “nuk mbahen fare zgjedhjet”.

Gjithashtu, edhe nëse regjistrohet ndonjë parti për të garuar, cila është përqindja e daljes në zgjedhje që e mundëson kalimin e pragut për t’u quajtur ato legjitime?

Beqiri thotë se ligji nuk e përcakton këtë.

“Mirëpo, edhe pse ligji nuk e jep ndonjë kriter ligjor se sa për qind e votuesve duhet të marrin pjesë në zgjedhje, në mënyrë që zgjedhjet të konsiderohen të vlefshme, do kemi një situatë kur fituesit e zgjedhjeve, fitojnë ‘ligjërisht’, por kanë votuar vetë 10 për qind (për shembull) të numrit të përgjithshëm të votuesve”.

Kjo, shpjegon Beqiri, prodhon rezultate me mungesë legjitimiteti, për shkak se në zgjedhje nuk kanë dalë shumica e votuesve për të votuar.

Të dielën e gjashtë nëntorit, katër kryetarët e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan kanë dhënë dorëheqje.

Sipas Kushtetutës, Kosova pas dorëheqjes së tyre duhet të shkoj në zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetarët e këtyre komunave.

E gjithë kjo situatë erdhi pasi serbët vendosën që të braktisin institucionet e Kosovës në nivel politik dhe administrativ, meqë Qeveria fillojë implementimin e sekuencuar të vendimit për qortimin dhe gjobitjen e atyre që bartin targa ilegale të prodhuara në Serbi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore