Kosova

SHBA: Negociatat vazhdojnë – ka progres, mbetet ende punë


Ambasada Amerikane në Kosovë

I ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Kosovë, Nicholas Giacobbe ka reaguar pas takimit të mbajtur të mërkurën në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se negociatat ende po vazhdojnë dhe se është bërë përparim por ende ka punë.

“Pavarësisht raportimeve në media, negociatat në Bruksel vazhdojnë. Është bërë përparim, mbetet ende punë. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen hapur dhe seriozisht”, ka shkruar ai në Twitter.

Edhe Ambasadori i SHBA-ve në Beograd, Anthony Godfrey, ka shkruar se ende nuk është arritur një marrëveshje midis delegacioneve të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel.

Godfrey ka bërë me dije se është në kontakt me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Gabriel Escobar, i cili aktualisht është në Bruksel.

“Sot jam në kontakt të ngushtë me mikun tim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit Gabriel Escobar, i cili është në Bruksel për të treguar mbështetje për dialogun e udhëhequr nga BE. Kjo punë nuk është e plotë, por është bërë përparim i mirë. Palët duhet të jenë fleksibile dhe të vazhdojmë të punojmë për të arritur këtë qëllim. Tani është koha”, ka shkruar Godfrey në Twitter.

 

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, para mediave në Bruksel ka thënë se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshje në parim për situatën sa i përket reciprocitetit të targave.

Ai tutje është shprehur se është propozuar një draft final dhe se po pritet vetëm miratimi nga pala serbe.

Ndërsa zëdhënësi për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë së Bashkimit Evropian, Peter Stano, gjithashtu ka deklaruar se takimi mes kryenegociatorëve të dy palëve (Kosovës dhe Serbisë), në Bruksel, nuk ka përfunduar ende.

Këtë Stano e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Twitter.

“Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në Bruksel nuk ka përfunduar, negociatat vazhdojnë për gjetjen e një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës”, ka shkruar ai.

Delegacioni i Beogradit në dialogun me Kosovë, ka thënë për Tanjug se ende nuk është arritur asnjë marrëveshje me Prishtinën në Bruksel.

Delegacioni serb është ende në ndërtesën e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, ku janë duke biseduar me Miroslav Lajçak rreth pranimit apo jo të marrëveshjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore