Lajme

Gërvalla udhëton për në Gjermani, do të takohet me Baerbock


Annalena Baerbock dhe Donika Gërvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Gjermani, me ftesë të homologes së saj gjermane Annalena Baerbock.

Kështu të paktën ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një njoftimi në rrjetin e tyre social në Facebook.

Gjatë vizitës zyrtare, tregon Ministria, Gërvalla do të zhvillojë takim me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ku do diskutojnë për fuqizimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve bilaterale të Kosovës me Gjermaninë, integrimin evropian dhe përcaktimin properëndimor të Kosovës si dhe për aspiratat euro-atlantike të shtetit të Kosovës.

“Po ashtu temë e takimit ndërmjet dy ministreve të jashtme të Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë do të jenë edhe reformat e nisura në vend, situata politike dhe e sigurisë në Evropë”, thuhet në njoftim

Përpos aspiratave euro-atlantike të shtetit të Kosovës, Gërvalla me homologen e saj do të diskutojë edhe për çështje më praktike si për sfidat energjetike që i ka rajoni dhe Evropa, për bashkëpunimin ekonomik mes dy shteteve si dhe për mërgatën kosovare në Gjermani si një urë lidhëse kulturore, ekonomike.

Para vizitës në Gjermani, Gërvalla ishte në Vjenë të Austrisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore