Kosova

Gërvalla takon përfaqësuesit e shoqatave të diasporës


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, në takim me një grup të përfaqësuesve të shoqatave shqiptare nga diaspora

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, bashkë me zëvendësministren Liza Gashi, kanë pritur në takim një grup të përfaqësuesve të shoqatave shqiptare nga diaspora, me të cilët kanë diskutuar mundësitë e bashkëpunimit, nevojat dhe sfidat me të cilat përballen këto shoqata dhe anëtarët e tyre.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Sot kërkesat që ju i keni, këndvështrimin tuaj, problemet që keni duam t’i dëgjojmë nga afër”, ka thënë Gërvalla teksa ka siguruar ata që nuk do t’iu mungojë mbështetja e Qeverisë së Kosovës për aktivitetin e tyre.

Po ashtu, gjatë këtij takimi ministrja Gërvalla ka theksuar se institucionet e Kosovës “nuk do ta harrojnë asnjëherë as bashkëpunimin e as kontributin e shoqatave të diasporës për vite me radhë për vendlindjen si në kulturë, arsim e në fusha tjera”.

Në anën tjetër, sipas këtij njoftimi thuhet se zëvendësministrja Gashi ka theksuar nevojën për kanalizim të energjisë dhe punës duke u bërë bashkë mërgata si dhe duke e ngritur nivelin e bashkëpunimit me institucionet në Kosovë.

“Vetëm duke u bërë bashkë mund të avancohet roli i mërgatës në shoqëritë ku jetojnë”, është shprehur ajo.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla, bashkë me zëvendësministren Liza Gashi, kanë pritur në takim një grup të përfaqësuesve të shoqatave shqiptare nga diaspora

Ndërkohë, Gërvalla gjatë ditës së mërkurë ka zhvilluar edhe një takim virtual me homologen e saj nga Guinea Bissau, Suzi Carla Barbosa.

Së bashku kanë diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dypalësh me qëllim të krijimit të marrëdhënieve bilaterale në fusha me interes të përbashkët.

“U theksua nevoja për shkëmbime në fusha si kultura dhe ekonomia”, thuhet në njoftim, teksa theksohet se është gjatë këtij takimi është diskutuar edhe rreth sfidave me të cilat po përballen vendet si pasojë e pandemisë COVID-19.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla në një takim virtual me homologen e saj nga Guinea Bissau, Suzi Carla Barbosa.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore