Lajme

Gërvalla paditet për ndërprerje të paligjshme të karrierës së diplomatit


Adron Maloku, Diplomat i Karrierës në MPJD dhe Donika Gërvalla, Ministre në MPJD

Agron Maloku, diplomat i karrierës në Ministrinë e Jashtme dhe Diasporës, ka paditur këtë institucion i cili udhëhiqet nga Ministrja Donika Gërvalla, ku punoi për më shumë se 18 vite.

Maloku i është drejtuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë me 27 mars të këtij viti, me padi ndaj MPJD-së, pasi që kjo e fundit për dy herë me radhë e kishte refuzuar të rishqyrtonte rikthimin në punë të Malokut, pasi që Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) kishte konstatuar se transferimi i diplomantit nga MPJD në Ministrinë e Shëndetësisë është i kundërligjshëm.

“Nuk është vetëm ndërprerje e marrëdhënies së punës por, e karrierës, që në MPJ përkatësisht shërbimi i jashtëm, trajtohet me ligj të veçantë”.

“Ajo që është më skandaloze, në pozitën time e kanë sistemuar një zyrtar të ish Ministrisë së Diasporës, pa gradë diplomatike ndërsa mua me gradë diplomatike më kanë transferuar në Ministri të Shëndetësisë”, ka thënë Maloku në një prononcim për Albanian Post.

Ashtu siç ka shkruar edhe në kallëzimin penal, për Albanian Post, Maloku ka thënë se kjo është një luftë që po zhvillohet ndaj tij, për t’u hakmarrë për denoncimin që ai ka bërë në prokurorinë e Shtetit për disa keqpërdorime që janë bërë në MPJD.

“Se përse unë kam denoncuar paraprakisht në Prokurorinë e Shtetit, dyshimet për keqpërdorim keqpërdorim të blerjes së automjeteve nga MPJD-ja dhe se kam denoncuar rastin e thyerjes me forcë të derës së Zyrës time në MPJD ku ka qenë edhe Zyre pune e Sindikatës së Anëtarëve të Jashtme të MPJ-së”, ka thënë Maloku.

Ai është i bindur se qëllimshëm i është ndërprerë marrëdhënia e rregullt e punës dhe duke e transferuar në Ministrinë e Shëndetësisë, për çka ai thotë s edhe si procedurë u bë kundërligjshëm.

Diplomati i karrierës përveç që ka paditur Ministrinë e Punëve të Jashtme, si person juridik, specikifisht akuza ka ngritur edhe ndaj sekretarit të Përgjithshëm në MPJD, Behar Isma e tek anëtarët e Komisionit për Ristrukturim, Imer Lladrovci, Lulzim Hiseni e Besim Berisha.

Me 13 mars, Maloku është njoftuar nga Komisioni për ristrukturimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka përfunduar shqyrtimin e vendimit të KPMSHCK-së si rrjedhojë atij i është rekomanduar që ketë pozitën e Drejtorit për Departamentin e Financave dhe Shërbime të Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Në përputhje me nenin 15 të Rregullores Nr.14/2020 për Transferimin e Nëpunësve Civil, DMZP kërkon nga ju që në afatin prej pesë (5) ditësh, të prezantoni mendimin tuaj në lidhje me propozimin e Komisionit të ristrukturimit. Pas marrjes së mendimit tuaj, ne do të rishqyrtojmë të gjitha pretendimet tuaja dhe pas këtij rishqyrtimi do të merret vendimi përkatës në përputhje me mandatin e DMZP –së. Në rast se nuk do të kemi prezantim të mendimit sikurse parashikohet në aktet normative në fuqi, DMZP, vijon me procedurën e sistemimit tuaj sikurse e kemi përshkruar më lartë” thuhet në komunikimin që Bislim Bislimi drejtor i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë i ka dërguar Malokut.

Maloku e ka refuzuar, duke cekur një mori shkeljesh që ai beson se po i bëhen.

Ky përfundim i nxjerr sigurisht është kundërshtuar nga diplomati, Agron Maloku. Ai i ka përmendur një sërë shkeljesh që sipas tij po bëhen.

“Rekomandimi i këtij Komisioni për Ristrukturim për transferimin tim në Ministrinë e Shëndetësisë është i treti me radhë përkundër dy vendimeve të KPMSHCK, të cilat kanë shpallur të kundërligjshme rekomandimet e Komisionit të Ristrukturimit në MPJD”.

“Këto rekomandime jo vetëm nuk janë duke respektuar vendimet e KPMSHCK, por janë duke dëshmuar  tendencën e tyre ndaj meje, me qëllim final dhe persekutues të largimit tim nga MPJD, duke më shkaktuar dëmin e pariparueshëm të humbjes së statusit të anëtarit të shërbimit të jashtëm dhe rrjedhimisht ndërprerjen e paligjshme të karrierës sime diplomatike”, thotë Maloku.

Agron Maloku, diplomat karriere, i shkarkuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla

Maloku, ishte punësuar në MPJD që nga viti 2008, kur edhe u themelua kjo ministri. Ai që së fundi barte pozitën e diplomatit të karrierës, grada më e lartë diplomatike, ka kaluar nëpër pozita të ndryshme brenda ministrisë. Ai ishte edhe bartës i funksionit të Drejtorit të Departamentit për Diplomaci Ekonomike, pozita të rëndësishme në misionet diplomatike/konsullore të Republikës së Kosovës, dhe së fundi në pozitën e Drejtorit të Administratës për Shërbime të Përbashkëta në MPJD.

“Transferimi në ndonjë institucion tjetër jo vetëm se nuk është në pajtim përvojën time dhe legjislacionin  e shërbimit të jashtëm, por edhe në kundërshtim me vendimin e KPMSHCK dhe si rrjedhojë, nuk mund të pajtohem me një propozim të tillë. Pranimi i një propozimi të tillë kundërligjor dhe diskreditues, do të shkelte dinjitetin tim profesional dhe personal, e dinjiteti i personit është një ndër parimet thelbësore, i mishëruar në Kushtetutën e Republikës”, thotë Maloku.

KPMSHCK  ka konstatuar bazën ligjore sipas të cilës shërbimi i jashtëm trajtohet me status dhe në mënyrë të veçante, me Ligjin e Shërbimit të Jashtëm, duke urdhëruar bartësit e MPJD-së që të zbatojnë vendimin e tillë por, Komisioni për Ristrukturim ka shkelur vendimin e KPMSHCK dhe dispozitat ligjore në lidhje me shërbimin e jashtëm duke e transferuar Malokun jashtë MPJD-së.

“Duhet shtuar që pas marrjes së këtij njoftimi mbi rekomandimin recidivist të Komisionit për Ristrukturim ndjehem i diskrimuar duke pasur parasysh kriteret e dyfishta dhe diskriminuese të aplikuara nga Komisioni për Rsitrukturim dhe menaxhmenti i MPJD-së, duke mos informuar asnjëherë lidhur me metodologjinë e punës së tyre”, tregon ai.

Në muajin shkurt për herë të dytë, diplomati i karrierës, Agron Maloku fitoi betejën me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konkretisht me ministren, Donika Gërvalla. Kjo bazuar në aprovimin që KPMSHCK-s i ka bëri kërkesës së Malokut.

Ankesa e ish-kryetarit të Shoqatës Sindikale të Shërbimit të Jashtëm, Agron Maloku, u aprovua nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. Maloku, në mënyrë të kundërligjshme ishte transferuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Kjo, është hera e dytë që Maloku paditë MPJD-në, më parë ai e kishte paditur ministren Gërvalla për shpifje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore