Lajme

Gërvalla nga deputetët gjermanë kërkon mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në BE


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla dhe deputetët gjermanë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, gjatë vizitës së saj zyrtare në Gjermani është takuar me grupin e deputetëve gjermanë në Këshillin e Evropës, nga të cilët ka kërkuar përkrahje për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Ministrja Gërvalla takoi edhe dy deputetë të Partisë Liberale Gjermane (FDP) në Bundestagun gjerman, Ulrich Lechte dhe Thomas Hacker, me të cilët u diskutuan proceset politike dhe siguria në Kosovë dhe rajon, bashkërendimi dhe mbështetja e Kosovës në rrugën e anëtarësimit të saj në BE, NATO dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë”.

Përmes një komunikate dërguar mediave, është thënë se Gërvalla diskutoi edhe për situatën e sigurisë në Kosovë.

“Gjatë këtyre takime të ndara, Ministrja Gërvalla i njoftoi deputetët e Bundestagut me të arriturat mbresëlënëse të Kosovës në ekonomi, demokraci, sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Më 1 shkurt, Gërvalla është takuar edhe me kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth.

Sipas njoftimit për media të MPJ-së, biseda u zhvillua rreth marrëdhënieve bilaterale mes Kosovës dhe Gjermanisë si dhe koordinimin për të ardhmen dhe proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Kryediplomatja kosovare gjatë qëndrimit të saj në Gjermani është edhe me kryetaren e Komisionit për Mbrojtje të Gjermanisë, Marie-Agnes Strack-Zimmermann dhe anëtarë të këtij komisioni.

Ndërsa një ditë më parë, ajo është takuar edhe me ministrin e Mbrojtjes Boris Pistorious, me të cilin ka diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore