Lajme

Gërvalla në Samitin për Demokraci: Në Serbi krenohen me vrasjen e babait tim


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, duke folur në panelin “Media and Freedom” të Samitit të Demokracisë, është shprehur se “Kosova është një vend demokratik dhe i qëndrueshëm ndaj lajmeve të rreme”.

Duke folur për lajmet e rreme, Gërvalla theksoi se qytetarët e Kosovës kanë jetuar nën një regjim të dhunshëm serb, “i cili na përbuzte duke na përshkruar si një racë të klasit të dytë, ashtu si Putini sot ua mohon ukrainasve dinjitetin, të drejtën për të ekzistuar, dhe shtoi se kur bëhej kjo, ministër i propagandës ishte presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiç.

“Të njëjtën gjë bëri edhe Serbia kundër Kosovë dhe më vonë luftoi kundër të gjithë popullatës sonë, duke u përpjekur në vitin 1999 madje të na dëbojë të gjithëve nga territori ynë. Ministër serb i informacionit – pra i lajmeve të rreme dhe gënjeshtrave – gjatë periudhës së gjenocidit ishte Vuçiçi”.

Tutje, ajo foli edhe për babain e saj të vrarë nga shërbimi sekret serb, Jusuf Gërvalla, i cili ishte gazetar por që nga dhuna e përndjekja serbe ishte larguar nga Kosova për në Gjermani.

“Babai im ka qenë gazetar. Si disident në Jugosllavinë komuniste, ai u detyrua të largohet nga vendi dhe të shkojë në Gjermani. Kur unë isha 10 vjeç, ai u vra në Gjermani, prapa shtëpisë sonë, nga shërbimi sekret jugosllav, i dominuar nga Serbia”.

Ndërsa, kryediplomatja kosovare shtoi në vitin 2022, në televizionin serb të kontrolluar nga qeveria — një ish-agjent, përgjegjës për planifikimin e atyre vrasjeve, krenohet për vrasjen e babait tim dhe vrasje të tjera të tilla”.

“Ky është realiteti në Serbi, Evropë, në vitet 2022 dhe 2023 dhe është e rëndësishme ta njohim këtë realitet”.

E rastin personal, Gërvalla thotë se e kujtoi për të treguar “se nuk është çështja tek fjalët e bukura apo tek qëllimet abstrakte, por kërcënimi për lirinë, demokracinë dhe mediat e lira është real”.

Mirëpo, për dallim nga pretendimet e Serbisë, ajo thotë se “tani Kosova është një vend i pavarur dhe ne jemi duke strehuar gazetarë ukrainas”.

“Iu ndihmuam të krijojnë një qendër të fuqishme të gazetarisë dhe në të njëjtën kohë një qendër të fuqishme për të luftuar lajmet e rreme që lidhen me Ukrainën dhe Rusinë”.

Dhe, shtoi se pasi suksesit të kësaj iniciative, tani në Kosovë janë duke u strehuar edhe gazetarë afganë.

Po ashtu, ajo potencoi se interneti e ka një rëndësi shumë të madhe në shpërndarjen e lajmeve të vërteta, por edhe të atyre të pavërteta, dhe vazhdoi “demaskimi i tyre është i mundshëm nga çdo vend”.

“Pra, do të doja t’iu bëj thirrje të gjithë kolegëve, në çdo vend, që ta bëjnë një përpjekje të tillë. Për aq kohë sa ne hezitojmë t’iu sigurojmë “të mirëve” atë që nevojitet për të luftuar produktin e “të këqijve”, këta të fundit do të kenë përparësi. Pra, varet nga vendosmëria jonë nëse do ta fitojmë apo humbim këtë betejë për të vërtetën, demokracinë dhe lirinë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore