Kosova

Gërvalla kërkon ndëshkimin e Serbisë nga BE: Kanë sulmuar në Kosovë në stilin e Donbasit


Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u bëri thirrje shteteve të Bashkimit Evropian që të vendosin masa kundër Serbisë.

“Duhet të shohim veprime të qarta nga BE-ja dhe Perëndimi kundër Serbisë. Është e pakuptueshme se si Kosova ende sanksionohet nga BE-ja për zbatimin e sundimit të ligjit, ndërsa Serbia po tolerohet në agresionin e saj të stilit të Donbasit kundër një fqinji sovran”, tha ajo për The Guardian.

Gërvalla ka insistuar që ajo që ndodhi të dielën, më 24 shtator në fshatin Bansjka të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, “ishte një akt i hapur agresioni i Serbisë ndaj Republikës së Kosovës”.

“Kjo është vërtetuar me një mori dëshmish”, theksoi ajo, duke shtuar se “institucionet e Kosovës po gjejnë ende armë dhe pajisje ushtarake në vende të ndryshme në Veri të Kosovës, përgjatë kufirit me Serbinë”.

Kryediplomatja kosovare ka shtuar se qëllimi i këtij agresioni ishte “pushtimi i veriut të Kosovës” dhe imponimi i ndarjes, për çka qeveritaret e Serbisë kanë punuar vazhdimisht, “haptas dhe në fshehtësi, me vite të tëra”.

“E shihni, derisa ne po angazhoheshim në Bruksel për dialog, Serbia po përgatitej për një pushtim të vendit tonë. Vetëm falë reagimit profesional dhe në kohë të policisë sonë, sulmi terrorist nuk ka pasur sukses”, ka shtuar ajo.

Harku i krizës në pjesën veriore të Kosovës dhe “hija kërcënuese” e bandave kriminale janë zgjeruar edhe më tej, posaçërisht pas sulmit terrorist në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Rreshteri i Policisë së Kosovës, tashmë i nderuar me titullin ‘Hero i Kosovës’, Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të 24 shtatorit në fshatit Banjskë që banohet kryesisht me shumicë serbe nga një grup i organizuar terrorist i cili ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar dhe mbështetur nga shteti serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore