Shqipëria

Gazi dhe “Kalashnikov”-i


Përgjatë pesë netëve, në qytetin juglindor, në Korçë, u mbajt Festa e Birrës. Më e veçanta ditë ishte e diela e 22 gushtit, kur në skenë u ngjit këngëtari boshnjak Goran Bregoviç, i cili uli dhe siparin e festimeve.

Mëngjesi i së dielës nisi ashtu njëjtë, në qetësinë karakterizuese të rrugicave korçare, për t’u bitisur me angazhimin e përmbrëmshëm të muzikës që “dehej” orëve të vona.

Me të mbërritur, paralajmërimi i parë bëhet lajmi i ditës, pasi hapësirat reklamuese të këngëtarit dhe ngjarjes muzikore, ishin shpërfytyruar nga boja e zezë e sprajit, që kish rënë në kontakt me xhamin, por jo me posterin, apo me eventin – tek e fundit.

Diku më tutje, në një nga rotondot e shumta, mes linjave të ngushta të Bulevardit, gjendeshin edhe postera apo banera të paprekur, si për të kujtuar se simbolika është e izoluar dhe jo gjithëpërfshirëse.

Taksia, që nuk identifikohej me një automjet të verdhë, por veçse me thirrjen “taksi” qe dëshmia e parë e raportimit se “Bregoviç po vjen vetëm për të kënduar fundja-fundit”.

Kordoni i parë pasohet nga i dyti, i treti…

Në orët e pasdites, policia fillon të vendosë kordonët e parë, duke bllokuar hyrjet dhe daljet nga rruga që të shpinte për në vendin e festës.

Kjo ishte shenja e parë zyrtare dhe domethënëse, që autoritetet ishin të përgatitura për ndonjë skenar, apo incident të mundshëm.

Aty, në kënd të skenës, gjendeshin pjesëtarë të ndryshëm të medias dhe banda, e cila kishte ardhur për të zhvilluar provat teknike.

Në gjysmerrësirën e mbrëmjes, filluan dhe radhët e para të njerëzve, të cilët nuk qenë të shumtë deri në orët e vona.

Pritja e pambarimtë

Shumica, edhe pse në një formë të padeklaruar, kishte ardhur për këngëtarin boshnjak, por pritjes për ngjitjen e tij në skenë nuk po i vinte fundi.

Njerëzit qëndronin ende në pritje, edhe pasi u kuptua që diku, aty, pas shkallëve të prapaskenës, muzikantët e bandës dhe gratë me veshje tradicionale do të ngjiteshin së shpejti në skenë.

Goran Bregoviç ishte gati për t’i dhënë jetë dhe kuptim mbrëmjes, pasi ai ishte qendra e vëmendjes dhe kritikave të shumta në drejtim të organizatorëve.

Repertori i tij filloi me një këngë shqiptare, të cilës iu bashkëngjit, edhe pse e pranoi që nuk i dinte mirë fjalët, por do të përpiqej “të bënte më të mirën”.

Sapo festa zuri vend, u regjistrua incidenti i parë dhe i fundit i saj, për të cilën ende përflitet pas përfundimit të ngjarjes muzikore.

Gazi, akti i parë i rebelimit

Gazi lotsjellës u bë protagonist i një incidenti në afërsi të zonës ku kishte familjarë dhe disa personalitete të politikës shqiptare dhe atasheve diplomatike në vend.

Lëvizjet e menjëhershme, si të efektivëve të kamufluar si civilë apo të njerëzve që iu shmangën efektit të gazit, krijuan një amulli në mes të festës.

Personat e vetëm që vijuan kërcimin e tyre të pashqetësuar ishin vizitorët e huaj – mes tyre shumica qenë serbë – të cilët përforcuan edhe më shumë dozën e kërcimit apo të adrenalinës në sfond të Bregoviç-it.

Kjo ngjarje nuk kaloi pa zhvillime, pasi përgjatë kësaj kohe policia me strukturat e saj drejtuese, në heshtje dhe pa shumë rrëmujë, shoqëroi disa persona si të dyshuar.

Shoqërimi i tyre nuk i shpëtoi as syrit të qytetarëve, që prisnin buzë trotuarit në front të policisë, të cilët brohoritën për veprimin e tyre, pa e kuptuar aspak atë që kishte ngjarë.

Akti i dytë ishte “Kalashnikovi”

Papritmas, në sfond, u vendos një këngë që shumicës i kujton luftën, apo thirrjet për luftë. Teksti i saj ka një subjekt, ku dëgjohen disa “pijanecë” që belbëzojnë fjalë njëra pas tjetrës.

Ky akt i dytë është një rebelim i dyanshëm, pasi shumë prej pjesëmarrësve ishin dakord dhe ia behën kërcimit me sa u hanin këmbët, ndërsa një pjesë qëndruan skeptikë, pasi janë të njohur me keqkuptimet që mbart kjo këngë.

Fill pas saj, Bregoviç duket sikur plotësoi qejfmbetjet apo mbushi boshllëqet, teksa këndoi “Bella Ciao!”, e cila në mënyrë ironike zotëron një histori shumë më identifikuese se “Kalashnikov”.

Në mbrëmjen që gëlonte nga zërat kritikë dhe tejet nacionalistë, ky koncert kaloi vetëm me një incident, i cili mbeti i izoluar, pavarësisht bujës të atypëratyshme.

Korça dhe Bregoviç, pangjashmërisht ndanë skenën, mbi ngrehinat e një fabrike ish-komuniste, si për të kujtuar që muzika dhe zhvillimi e kapërcejnë të kaluarën dhe prapaniken e njërës apo tjetrës.

Për një moment shqiptarët, serbët, mërgimtarët e rikthyer dhe vizitorët e huaj dëfryen, ku mes tymit dhe ushqimeve, mbizotëroi vitaliteti i këngës dhe i gjallërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore